”Betlehemi i gjallë”, krijon atmosferën e lindjes së Jezu Krishtit
Në vigjilje të festës së Krishtlindjes në Shkodër, është rikrijuar qyteti i Betlehemit dhe atmosfera e lindjes së Jezu Krishtit. Janë pamje që na kthejnë pas në kohë, në një ngjarje që ndryshoi historinë e botës.
Është qyteti i Betlehemit, vendi ku lindi Jezu Krishti. Banorë të të gjitha moshave të famullisë së Hajmelit-Nenshat në Shkodër u bënë bashkë që të rikrijojnë atmosferën dhe ngjarjet bazuar në shkrimin e shenjtë. Brenda kësaj hapësire përjetohen të gjitha. Mbi 250 është numri i figurantëve të këtij “Betlehemi të gjallë”, i cili sjell ikjen prej Egjiptit drejt tokës së premtuar.
Rrugëtimin e Marias dhe ardhjen në jetë të shpëtimtarit për besimtarët e krishterë. “Gjithësekush ka vendosur energjinë, pozitivitetin, energjinë me e realizu këtë gjë”. Lindja e Krishtit përjetohet në mënyra të ndryshme, por kjo mbetet ndër më të veçantat dhe origjinalet. “Është e mrekullueshme si ne arrijmë ta rikrijojmë familjen e shenjtë për të dhënë mesazhin që familja e shenjtë është secila familje e jona”.
Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, kërkon që mesazhi i Krishtlindjes të prekë zemrat e çdo besimtari. “Krishti ka ardhur aty ka zemra të ftohta ti ngrohë, ku ka zemra të plasura ti shërojë”. Krishtlindja është festa më e madhe për të krishterët dhe prej saj burojnë të gjitha festat e tjera fetare.