Biberaj paralajmëron Ramën: Me zgjerimin 12 milje, kufiri grek do të vijë deri te zyra jote elektorale në Vlorë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, e konsideron kryeministrin Edi Rama i cili njëherësh është dhe Ministër i Jashtëm, amator në diplomaci.
Shkas mori nga deklarata e tij në mbështetje të homologut grek, ku deklaroi se Greqia është në të drejtën e saj për zgjerimin me 12 milje të ujërave të saj territorialë.
Me këtë teori, paralajmëron Biberaj Ramën, kufiri grek do të shkojë deri në shtëpinë e prindërve të tij në Vuno apo zyrën elektorale të tij në Vlorë.
Biberaj: Ai dha një deklaratë shumë negative, ku i jepte të drejtë kryeministrit të Greqisë duke thënë se pretendimi i tij për 12 milje është i drejtë. Nuk është aspak i drejtë. Është pretendim teorik që mund të zbatohet kur ka hapësira dhe mundësi. Nëse do të zbatohet 12 milje jam i bindur që kufiri i Greqisë do të vijë dhe në shtëpinë e zotit Rama, të prindërve të tij në Vuno, edhe në zyrën e tij elektorale në Vlorë, do të vijë edhe në zyrën e elektorale në Durrës nëse do të bëjë fushatë. Në rastin më të mirë është i papërgjegjshëm, është profan në diplomaci, nuk njeh të drejtat ndërkombëtare.
Deri më tani nga Greqia është bërë e ditur se së shpejti në Tiranë do të mbërrijë Ministri i Jashtëm i cili do të diskutojë më palën shqiptare për rinisjen e negociatave për kufirin detar.