Biberaj: Rama nuk ka çfarë mbron, po sillet si kryetar opozite
Ish-deputeti i PD, Aleksander Biberaj, në një intervistë për Ora News, teksa komentoi situatën politike në vend dhe vizitën e djeshme të komisionerit për zgjerim Oliver Varhelyi, u shpreh se qeveria shqiptare nuk i ka kryer ende detyrat e shtëpisë.
Sipas tij, vendi është në një gjendje alarmante, ndërsa theksoi se kryeministri Edi Rama po sillet si kryetar opozite.
“Një reagim shumë diplomatik por që ka mesazhe të qarta mes rreshtave. Ne nuk kemi bërë detyrat e shtëpisë. Jemi pa Gjykatë të Lartë, pa Gjykatë Kushtetuese, krimi dhe korrupsioni ka pushtuar çdo gjë, rinia është pashpresë, biznesi godet sërish. Kjo është një qeveri fasadë që bën vetëm propagandë. Edhe vetë ministrat dhe kryeministri nuk kanë çfarë të mbrojnë dhe vetëm sulmojnë opozitën. Po ta dëgjosh duket sikur është ai kryetar i opozitës”, tha Biberaj.
Sa i përket Planit Ekonomik të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe faktit që shtete të tjera marrin më shumë fonde se Shqipëria, Biberaj dha këtë përgjigje:
“Marrin më shumë se kanë një administratë më eficente se e jona. Paraqesin projekte serioze, ndërkohë administrata jonë është e mbushur me militantë dhe me korrupsion”.