Biberaj: Spitalet Covid, fatkeqësisht, po shndërrohen në spitale vetëvrasëse! Ku është Prokuroria dhe SPAK-u?

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj ka reaguar ashpër lidhur me ngjarjen e sotme, ku një pacient i infektuar me koronavirus u hodh nga dritarja e spitalit.

Biberaj në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, shprehet se ky është pacienti i 5-të që vetë-vritet, duke u hedhur nga katet e larta të spitaleve Covid-19, spitale që fatkeqësisht po shndërrohen në spitale vetëvrasëse!

“Të dashur miq! Sot në orët e para të mëngjesit ka ndodhur tragjedia e radhës, ku nga katet e larta të spitalit Covid-19 “Shefqet Ndroqi” është hedhur duke i dhënë fund jetës një 60-vjeçar nga Laçi, duke shënuar kështu edhe rastin e 5-të të tragjedisë psikologjike të shkaktuar nga Covid-19. U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes dhe shoqërisë së të ndjerit! Ajo që të bën përshtypje dhe të bën të mendosh është se a e ka vrarë kush mendjen nga autoritetet zyrtare përgjegjëse për këto raste që po shtohen dhe se çfarë i detyron këta të sëmurë që të ndërmarrin këtë rast ekstrem vetëflijimi?! Si po trajtohen pacientët Covid-19 në spitalet tona që po shndërrohen në spitale të vdekjes nga vetëvrasjet, si të jenë qelitë e tmerrshme të hetimit të Gestapos së Hitlerit?! A kanë këto spitale përveç trajtimit mjekësor fiziologjik edhe trajtim socio-psikologjik?! Kush mban përgjegjësi për këto jetë të humbura të cilat mund të kurseheshin nëse spitalet tona nuk do të ishin këto që janë?! S’e dimë ku është edhe prokuroria e “reformuar sipas vetingut”, dhe sidomos SPAK-u, apo vazhdon dhe heton atë rastin e një qytetari që përpiqet të korruptojë një polic rrugor me 1.000 Lekë, gjë që përbën një “krim të rëndë dhe vepër penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, kombëtare dhe biles edhe ndërkombëtare”! Ah po, se u kujtova, përgjigjen e këtyre pyetjeve e jep çdo dite “lideri suprem”, “lideri global” dhe i pa shkollë se “vetëvrasje ndodhin në të gjithë botën”, i ndihmuar nga ekspertja e “midhjes dhe e peshkut” që vodhi 5 milionë euro për 1 vit në Dogana deri sa e përzunë anglezët, “se këto janë skenarë fantastike për Hollywood-in” dhe drejtuesi politik rural për Tiranën “se ne ia kemi kaluar 10 herë Italisë dhe 30 herë Gjermanisë në menaxhimin e pandemisë”. Ditë të lumtura na presin me rilindasit :), ku shqiptarët përcillen nga njëra vdekje në tjetrën!”, deklaron ish-ligjvënësi i PD-së, Aleksandër Biberaj.

SHKARKO APP