BIBL nënshkruan marrëveshje 3-vjeçare me SIGAL UNIQA Group Austria

 

Liga Ballkanike e Basketbollit (BIBL) që nga tetori i këtij viti do të quhet “SIGAL UNIQA Balkan League”. Marrëveshja u firmos nga CEO i SIGAL UNIQA për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, njëherësh edhe President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, z. Avni Ponari dhe nga Drejtori i BIBL, z. Shay Shtriks.

Liga Ballkanike e Basketbollit (BIBL) tashmë do të quhet “SIGAL UNIQA Balkan League”. Duke filluar që nga sezoni i ri 2015-2016 BIBL do të ketë emërtimin e ri, falë marrëveshjes 3-vjeçare që u arrit me SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, pjesë e grupit më të madh të sigurimeve në Austri “UNIQA Insurance Group”, e përfaqësuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nga z. Avni Ponari, nëpërmjet 8 kompanive jetë dhe jo-jetë SIGAL UNIQA.

“UNIQA Insurance Group” është një nga kompanitë lider të sigurimit në tregun Austriak dhe atë të Europës Lindore dhe Qendrore. Me një eksperiencë 150-vjeçare, me rreth 40 kompani në 19 shtete, UNIQA u shërben më shumë se 10 milionë klientëve nëpërmjet 22 mijë punonjësve të saj. UNIQA dhe Raiffeisen Versicherung janë dy kompanitë më të fuqishme të sigurimeve në Austri dhe të mirëpozicionuara në tregun e Europës Lindore dhe Qendrore.

UNIQA është prezente në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni që prej vitit 2007 përmes kompanisë më të madhe të sigurimeve SIGAL UNIQA, duke zotëruar 68.64% të aksioneve të saj. Që prej vitit 2002, SIGAL UNIQA kryeson tregun shqiptar të sigurimeve duke zotëruar mesatarisht 35% të tregut të sigurimeve jetë, jo-jetë dhe pensioneve private.

“BIBL, tashmë ‘SIGAL UNIQA Balkan League’, është krenare që një kompani me një reputacion të tillë si SIGAL UNIQA Group pranoi që të bashkëpunonte me projektin tonë për Ballkanin dhe të na jepte mundësinë që të kemi emrin e tyre për tre vitet e ardhshme. Kjo tregon që edhe pse Ballkan League është e pranishme vetëm në Ballkan, falë një organizimi të mirë të zhvillimit të sporteve me benefite për komunitetet lokale, ne fituam besimin e një emri tepër të njohur siç është SIGAL UNIQA Group AUSTRIA”, -thuhet në njoftimin për shtyp të SIGAL UNIQA Balkan League.

Ndër të tjera, në njoftimin zyrtar të Ligës Ballkanike të Basketbollit nënvizohet edhe mbështetja e pakufizueshme e z. Avni Ponari.

“Personi kyç që qëndron pas gjithë kësaj, me një mbështetje të madhe dhe me besim tek ne, është zoti Avni Ponari, CEO i SIGAL UNIQA. Si President i Federatës Shqiptare të Basketbollit, zoti Ponari është një mik i madh dhe një mbështetës i basketbollit. Ai ka punuar shumë që të promovojë basketbollin jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, ku SIGAL UNIQA kryeson tregun e sigurimeve, por në të gjithë rajonin e Ballkanit. Tani, me detyrën e re si pjesë e Ligës Ballkanike të Basketbollit, zoti Ponari shton njëarritje më shumë në paketën e tij të mirënjohjeve, së bashku me çmimet dhe vlerësimet e shumta që ai merr në vendin e tij, në Shqipëri, si dhe në të gjithë Europën. Ai është gjithashtu anëtar i Komisionit të Financës të FIBA Europe”.

Mbështetja e z. Ponari për sportet në përgjithësi dhe për basketbollin në veçanti është reflektuar në ndihmesën që ai ka dhënë për disa skuadra basketbolli, ndërmjet të cilave edhe SIGAL Prishtina dhe klubin e basketbollit Vllaznia. Ponari ka qenë iniciator i aktivitetit të “StreetBall Albania” i kthyer tashmë në traditë në Shqipëri. Në kuadër të anxitjes së të rinjve për tu angazhuar me sporte, z. Ponari këtë vit nënshkroi edhe një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, për zhvillimin e basketbollit në çdo shkollë të mesme të vendit. 

SHKARKO APP