“Bibla. Të zbulojmë Shkrimin Shenjt” në arabisht. Pizzaballa: shenjë e gjallërisë së Kishës

R.SH. – Vatikan njofton se më 26 nëntor, u paraqit në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë Mbretëreshë e Apostujve në Montagnola, një version i ri i Biblës në arabisht nga Shtëpia Botuese San Paolo. Papës iu dhuruan disa mijëra kopje për t’ua dhënë të krishterëve të gjuhës arabe, në gjendje të vështirë

         Një atmosferë emocionesh karakterizoi paraqitjen e Biblës në gjuhën arabe, mbrëmjen e 26 nëntorit, në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë Mbretëreshë e Apostujve në Montagnola. Botimi i ri, titulluar “Bibla. Të zbulojmë Shkrimin Shenjt”, është publikuar nga Shtëpia Botuese San Paolo. “Fjala e Zotit është fjalë e gjallë” dhe “kjo Bibël është mjet shumë i rëndësishëm” sidomos në kuadrin e Lindjes së Mesme, zonë kaq e përçarë, vuri në dukje kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark i Jerusalemit të Latinëve, në homelinë e meshës që i parapriu paraqitjes. Në Bazilikën e mbushur plot me besimtarë, bashkëkremtuan edhe imzot Yousef Matta, kryeipeshkvi greko-melkit katolik i Akka; imzot Michel Aoun, ipeshkëv maronit i Byblos, në Liban; imzot Anba Bakhoum Kiroulos, ipeshkëv ndihmës i Kishës Patriarkale të Aleksandrisë së koptëve, si edhe eksponentë të tjerë të Kishave Katolike Lindore, të cilët u mblodhën së fundi para varrit të të Lumit don Giacomo Alberione, për një lutje, në ditën e përkujtimit të tij liturgjik. Gjest prekës bashkimi e shkëmbimi. I pranishëm, edhe kryeipeshkvi Michel Jalakh, sekretar i Dikasterit vatikanas për Kishat Lindore.

Pizzaballa: Fjala e Hyjit, qendrore për ungjillëzimin

“Kjo vepër është shenjë e gjallërisë së Kishës” dhe të krishterët janë të thirrur t’u thonë fjalë paqeje vëllezërve të tyre hebrenj dhe myslimanë, vuri në dukje kardinali Pizzaballa pas meshës, gjatë paraqitjes së Biblës. Për mediat e Vatikanit, kardinali nënvizoi se “nuk ka ungjillëzim pa Fjalën e Zotit dhe Fjala e Zotit, e komentuar në një mënyrë të re, në arabisht, për arabët, është mjet i jashtëzakonshëm për ta bërë të njohur Jezusin, sidomos në këto kohë, kur përdoret një gjuhë e ngarkuar me urrejtje. Nga ana tjetër, Fjala e Zotit hap horizonte, që e përtërijnë gjithmonë jetën: është ajo, që na duhet më shumë në këtë moment”.

Veçoritë e Biblës në arabisht

Të pranishëm në paraqitje ishin edhe drejtori i botimit arab dhe kuratori, atë Jean Azzam dhe atë Francesco Giosuè Voltaggio, të dy meshtarë që i përkasin Ecjes Neokatekumenale. “Kjo është Bibël, që bashkoi përkthimin e Besëlidhjes së Vjetër, bërë nga jezuitët, me përkthimin e Besëlidhjes së Re, bërë nga unë dhe të tjerët, me një tekst shumë besnik ndaj greqishtes, por edhe të lehtë për t’u kuptuar”, deklaron për mediat e Vatikanit atë Azzam, ati shpirtëror i seminarit ndër-ritual “Redemptoris Mater” në Liban.

Rreth 400 shënime tematike e ndihmojnë lexuesin jo vetëm të kuptojë tekstin, por edhe ta përjetojë atë, duke e medituar. Në shënime mund të lexohen disa pjesë nga Shkrimi Shenjt, me referime nga Besëlidhja e Vjetër dhe ajo e Re, që ndihmojnë kuptimin e teologjisë biblike mbi temën përkatëse. Një veçori tjetër e kësaj Bible janë referimet për Etërit e Kishës dhe shpjegimet nga greqishtja, hebraishtja dhe gjuha armaike. Atë Azzam kujton edhe se jepen sqarime mbi gjeografinë, historinë, emrat e vendeve dhe kërkimet më të fundit arkeologjike.

Në fund të konferencës, Bibla në arabisht iu dorëzua rreth 50 besimtarëve nga Toka Shenjte, që kanë ardhur në shtegtim në Romë e në Loreto. Edhe Papës Françesku i janë dhuruar disa mijëra kopje për t’ua dhënë të krishterëve të gjuhës arabe, në gjendje të vështirë. Shenjë simbolike afërsie me të gjithë të krishterët, që aktualisht vuajnë në ato troje.

SHKARKO APP