Biden: SHBA nuk do t’i njohë kurrë pretendimet e Rusisë në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin “kurrë, kurrë, kurrë” përpjekjen e Rusisë që të aneksojë territor të Ukrainës. Ai i ka bërë këto deklarata para fjalimit që do të mbajë presidenti rus, Vladimir Putin, ditën e sotme.

Sot, Putin pritet që të deklarojë se katër rajone ukrainase do t’i bashkohen Rusisë. Kremlini ka thënë se Luhansku, Donjecku, Zaporizhia dhe Hersoni, kanë votuar në të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë. Ukraina dhe Perëndimi i konsiderojnë këto referendume si të rreme. Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin Rusisë sanksione të reja për shkak të synimeve për aneksim. “Dua të jem shumë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin kurrë, kurrë, kurrë, pretendimet e Rusisë për territorin sovran të Ukrainës”, ka thënë Biden.

Të enjten, presidenti rus ka nënshkruar dy dekrete, përmes së cilave njeh rajonet e Zaporizhias dhe Hersonit si territore të pavarura – duke e hapur rrugën për aneksim. Në dokumente, që i ka shpërndarë media shtetërore, është thënë se pavarësia e këtyre dy rajoneve, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se ky aneksim i territorit të shtetit, është i bazuar në përdorim të forcës dhe është kundër ligjit ndërkombëtar.

SHKARKO APP