Bie papunësia? Ekspertët: Shqiptarët janë larguar, nuk janë punësuar

INSTAT  ka konstatuar rënie të numrit të të papunëve gjatë vitit 2019, por sipas ekspertëve të ekonomisë dhe tregut ndryshimi i shifrave i atribuohet faktit se shqiptarët po largohen në emigracion duke kërkuar punë jashtë vendit.

Erion Muça: Një faktor të rëndësishëm në këtë pjesë zë emigracioni i kohëve të fundit. Shumë profesionistë po largohen jashtë vendit. Duke reduktuar numrin e të punësuarve në vend.

Arbi Agalliu: Është numri i maturantëve këtë vit në krahasim me vitin e kaluar. Janë 5 mijë maturantë më pak në Shqipëri krahasuar me një vit më parë.

Rritja e formalitetit të ekonomisë është një tjetër faktor, pa përjashtuar dhe regjistrimet fiktive në zyrat e punës.

Erion Muça: Kur deri dje ka patur një numër të kufizuar personash të punësuar, tani janë të detyruar edhe nga presioni i nismave të tatimeve për ti regjistruar të punësuarit që kishin të padeklaruar. 

Nga ana tjetër, Agalliu shprehet se mungesa e besimit te institucionet, çka vërehet në shoqërinë shqiptare, ka sjellë më pak të regjistruar në zyrat e punës.

Arbi Agalliu: Ne dimë mirë që një pjesë e mirë e popullatës nuk kanë besim në institucionet shtetërore. Ne sot flasim për mosbesim duke filluar nga Parlamenti deri tek shkalla më e ulët të nivelit qeverisës.

Ekspertët shprehen se pavarësisht trendit pozitiv të punësimit, sërish shifrat janë shqetësuese, pasi numri i të papunëve vijon të mbetet i lartë.

Ata theksojnë dhe nevojën që ka biznesi për punonjës të kualifikuar, të cilët mungojnë në vendin tonë.

/Ora News

SHKARKO APP