Bie skema e trafikantëve, prangosen dy persona që po transportonin 36 sirianë

Edhe pse Shqipëria është rruga e artë për refugjatët që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme, për shtetin ata janë klandestinë dhe për këtë arsye kapen. Dy persona janë prangosur në pikën kufitare të Morinës, pasi po përpiqeshin të kalonin në mënyrë të paligjshme 36 sirianë drejt Kosovës.

Lajmi për arrestimin e tyre u bë i ditur nga vetë Policia e Shtetit, e cila ka dhënë detajet e këtij operacioni. Në pranga kanë përfunduar dy të rinj me iniciale E.P dhe M.D me banim në Tiranë, të cilët me një furgon tip “Sprinter” po transportonin emigrantët drejt Kosovës kundrejt një shpërblimi financiar.

“Shtetasit e lartpërmendur u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare, në afërsi të PKK Morinë, me automjetin fugon tip “Sprinter”, me të cilin po transportonin 36 shtetas sirianë. Shtetasit E. P. dhe M. D. do t’i ndihmonin shtetasit sirianë, kundrejt fitimit, që të kalonin kufirin në drejtim të Kosovës, në mënyrë të paligjshme”, thekson policia. Policia ndërkohë vijon hetimet për zbardhjen dhe identifikimin e personave të tjerë, që mendohet të jenë përfshirë në këtë grup i cili merrej me transportimin e paligjshëm të emigrantëve”,- thuhet në deklaratë.

Ky nuk është rasti i parë që Policia Kufitare ka goditur raste të trafikimit të klandestinëve. Sipas të dhënave rezulton se vetëm në vitin 2019 rreth 12 mijë emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme kanë hyrë në Shqipëri. Prej qershorit të 2019 kufiri me Greqinë monitorohet edhe nga forcat e “Frontex” dhe sipas burimeve çdo ditë ndalohen 30 deri në 40 emigrantë duke kaluar ilegalisht në kufirin e gjelbër.

SHKARKO APP