Bieber në Public Square të Bushatit për luftën Izrael-Hamas: Faktorët pse BE dhe SHBA nuk ushtrojnë dot presion ndaj këtyre qeverive

Gjendja e demokracisë dhe ndikimi i gjeopolitikës në rajon ishin tema për të cilat Ditmir Bushati diskutoi sot në Public Square me të ftuarin e tij Florian Bieber, Drejtor i Qendrës së Studimeve për Evropën Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, studiues dhe njohës me përvojë i Ballkanit Perëndimor. Ata ndanë mendimin se jemi në një çast krize për demokracinë, kjo, jo vetëm në rajon, por në Evropë dhe më gjerë. “Në rajon mungon fuqia transformuese e procesit të anëtarësimit në BE. Nuk po shohim vende të bëhen më demokratike. Nëse ka lëvizje për demokraci ato zakonisht nuk janë të kuadruara brenda kontekstit të procesit të integrimit në BE”, thekson Bieber.

Qytetarët dhe shoqëria civile e vendeve të Ballkanit Perëndimor e ka humbur fuqinë e reagimit dhe kjo bën me përgjegjësi dhe vetë BE-në. Bieber solli në vëmendje në këtë rast se për herë të fundit kemi pasur reagimin e Maqedonisë së Veriut me rrëzimin e qeverisë së Nikola Gruevskit. Kjo ngjalli entuziazëm të madh për rikthimin e vendit në drejtimin e duhur drejt vlerave evropiane, “por, ky argument nuk po funksionon më, pasi vetë BE-ja duket se shpesh është në mbështetje të këtyre tendencave autoritaiane duke sakrifikuar shtetin e së drejtës dhe demokracinë”.

Bieber mendon se kemi hyrë në një fazë më transaksionale të ushtrimit të politikës së jashtme jo vetëm nga SHBA, por edhe nga vetë Bashkimi Evropian, dhe kjo është e dukshme veçanërisht në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. Po në këtë prizën ata shpjegojnë dhe qasjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt konfliktit Kosovë-Serbi. Bieber thotë se politika e ndjekur si nga SHBA ashtu dhe BE po penalizon Kosovën e cila dihet botërisht që është e orientuar nga perëndimi, në përpjekje për të larguar Serbinë prej Rusisë.

Bushati dhe Bieber ndajnë mendimin se shumë udhëheqës të Ballkanit Perëndimor po ushtrojnë politikë të ngjashme me “martesa të hapura”, duke iu referuar këtu vizitave të shumëta nga drejtues politikë të kontinenteve të ndryshme, organizata të ndryshme ndërkombëtare, të cilët flasin pak a shumë të njëjtën gjuhë me lidërët tanë, sepse, më së shumëti janë të interesuar në para, influencë apo sovranitet nga pikpamja e vendimarrjes.

Pyetja që lind natyrshëm në këtë rast është se si ta ngjallim shpresën e shoqërisë tek ky proces dhe a mund të qëndrojnë bashkë demokracia, identiteti kombëtar dhe BE-ja? Padiskutim që për këtë kërkohen rrethana të caktuara, mendojnë Bushati dhe Bieber, të cilat për momentin nuk ekzistojnë, sepse BE po investohet në ruajtjen e një status-quo aktuale. Një tjetër problem i cili nuk e lejon shoqërinë të ushtrojë presion ndaj qeverive është dhe fenomeni i lëvizjes së shumë shtetasve drejt BE-së.

Duke iu referuar vitit 2030-të si afati i vendosur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në union, Bieber thotë se “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur vendosim data në mënyrë që ato afatë të respektohen. Duhen përcaktuar afate kohore të qarta rreth asaj se cfarë duhet të përmbushin vendet dhe qeveritë dhe në cilën datë dhe ti qëndrojnë afateve të planifikuara”.

Bushati dhe Bieber diskutuan dhe për zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe rritjen e partive populiste në Europë. Në këtë pikë ata vlerësojnë se ka një efekt pozitiv kjo pasi zgjerimi tashmë është kthyer prioritet në agjendë. Në të njëjtën kohë, situata në Ukrainë ka prodhuar një situatë gjeopolitike që nuk ka ekzistuar të paktën prej një dekade.

SHKARKO APP