Bien ndjeshëm aplikimet për azil nga shqiptarët në BE në 4 muajt e parë të 2023
Fluksi i aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar rënie të ndjeshme në katër muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave që janë publikuar nga Eurostat.
Sipas Eurostat, në periudhën janar-prill u shënuan gjithsej 2510 kërkesa për azil nga shtetas shqiptarë, në një nga shtetet e Bashkimit Europian, me një rënie prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe më pak se gjysma e 2019-s, përpara se të fillonte frenimi për shkak të pandemisë.
Tendenca është e ndryshme nga viti i kaluar, kur u shënua një rigjallërim i dukshëm i kërkesave për azil, sidomos në Mbretërinë e Bashkuar, që ishte dhe një destinacion i ri.
Për vitin 2022, Sipas të dhënave të Eurostat, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.
Ndërsa të dhënat e tjera, të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.
Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a.Monitor