Big Brotheri politik i PD-së!

Nga Denis Dyrnjaja

Prej gati dy vjetësh pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021 Partia Demokratike është futur në një eksperiment politiko/social të ngjashëm me atë që ndodh në Big Brother. Individë e grupimeve brenda saj, janë përfshirë në një luftë të paskrupullt mes tyre për të fituar trofeun partiak, vulën dhe logon e partisë. Po ndodhin kapërcime të paimagjinueshme pas 9 shtatorit 2021 kur me një akt të paprecedentë Lulzim Basha asokohe Kryetar i PD-së vendosi të përjashtojë nga Grupi Parlamentar liderin historik demokratëve Sali Berisha duke e nxjerrë deputet te lirë.

Nga ky moment ujërat u përzien keq brenda demokratëve me shpërthimin e një armiqësie dhe lufte të ashpër personale që kulmoi edhe me përplasje fizike më 8 janar të vitit 2022 Lul Basha me të tijtë blinduan selinë me dyer e dritare hekuri, ndërsa Berisha dhe përkrahësit e tij mësynë selinë për të marrë zyrat pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit 2021 që ndryshoi statusin e partisë dhe shkarkoi Bashën si kryetar humbës serial që nga Viti 2013.

Nga ky moment PD pësoi çarjen më të madhe që nga krijimi i saj në 12 Dhjetor të Vitit 1990. Basha i mbështetur nga amerikanët që e kishin shpallur ndërkohë Berishën non grata dolën haptas ndaj tij, ndërsa idhëtarët e Berishës u vendosën krah liderit që organizoi me shpejtësi kuvendin kombëtar të demokratëve për të konfirmuar poktikisht veten si drejtues i opozitës. Baza u përgjigj por rrethanat e reja poktike me pozicionin e hapur amerikan anti Berisha krijuan një amulli brenda selisë blu e cila e përçau keqas PD në të paktën 3 grupime. Kjo solli pasiguri në vendimmarrjen kolegjiale me struktura paralele të partisë duke e zhvendosur fokusin nga beteja kundër Ramës dhe qeverisë në betejë pa limit brenda llojit.

Akuzat për flirte me mazhorancën dhe vetë kryeministrin vijojnë pandalshëm mes grupeve që sfidojnë e nominojnë njëri tjetrin në publik. Dhe jo pa bazë pasi ka të dhëna se Rama sipas midesë dhe interesit për diversion iu hedh kocka interesash sa njërit grup edhe tjetrit, duke legjitimuar akuzat e tyre të ndërsjellta se në një mënyrë a në një tjetër po përfitojnë nga pushteti i tij për të humbur qëllimin madhor bonusin e ardhjes së opozitës në pushtet.

Nga ana tjetër, gjykata që në këtë rast metaforikisht merr rolin e “opinionistit ligjor” po mban peng në mënyrë krejt të pakuptimtë vendimin për të dhënë një vendim që do zgjidhte këtë ngërç që mbi të gjitha është një kosto për funksionimin e demokracisë së pari dhe së dyti të vetë opozitës si instrument jetik të saj dhe jetës politike në vend. Në këto kushte kur gjykata opinion/vendimmarrëse nuk po vepron e kur zgjedhjet lokale janë në prag, PD po merr një kosto të pallogaritshme që mund ta çojë atë drejt shpërbërjes përfundimtare. Kjo bazuar vetëm te logjika e etjes për pushtet që grupimet kanë mes tyre. Berisha mban legjitimitetin e mbështetjes së bazës, kundërshtarët shtrëngojnë kartën e kostos që ai prodhon me statusin non grata si penalitet për të mundur Ramën e sjellë opozitën në pushtet.

Nga ana tjetër, grupimi që nuk ka mbi kurriz status penalizues nga ndërkombëtarët nuk gëzon mbështetjen në bazë e provuar kjo nga zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022 ku morën një rezultat dërmues humbës, që çoi në dorëheqjen formale, por jo zyrtare e përfundimtare të Lulizm Bashës si kryetar. Pra me këtë luftë shkatërrimtare që vetëm interesin e demokratëve nuk ka në thelb aktorët e Big Brotherit që po zhvillohet në PD po shkojnë drejt një humbjeje jo vetëm elektorale, por edhe vetëasgjesuese politike duke i dhuruar fitoren e palodhshme të radhës Edi Ramës që nga ana e tij nuk po kujdeset të bëjë ndonjë lojë hollë duke iu referuar skandaleve të njëpasnjëshëm që po i shpërthejnë në të gjitha nivelet e pushtetit të tij të rënduar nga prepotenca e korrupsioni.

Pra shfaqja po zhvillohet si një serial ku duket qartë edhe fituesi i pamerituar dhe humbësi i vetëpërcaktuar. Kjo është Shqipëria ku Big Brotheri më i madh dhe me audiencën absolute është Big Brotheri politik, më saktë ai që po ndodh brenda Partisë Demokratike.

SHKARKO APP