Bilanc lufte, 9 të vrarë në 7 ditë. Nga vrasja me snajper tek aksidentet

Nga: Redjon Shtylla

Në 2019, dora e krimit vrau 57 shtetas dhe në vetëm 7 ditë të 2020, janë ekzekutuar 3 persona. Kjo shifër tregon se rendi në vend është në pikëpyetje. Katër këmbësorë humbën jetën, që tregon se siguria rrugore është në nivele të ulëta. Ekzekutimi në qendër të Rrëshenit, në mes të ditës tregon se jeta në Shqipëri nuk është e sigurtë. Një ngjarje makabre ka ndodhur më 5 janar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku një 16-vjeçar dhunoi e vrau nusen e xhaxhait, me dy shokë të tij me të cilët kishte hyrë në banesë për ta grabitur. Guxim Gjyriqi 47-vjeç, u vra pranë pikës së karburantit të tij në lagjen “Partizani”. Dy shpërthime tritoli kanë ndodhur në Shkodër. 5 këmbësorë humbën jetën nga aksidentet rrugore në 7 ditë dhe një person humbi jetën në punë. Një javë me nëntë viktima është një kambanë alarmi për nivelin e kriminalitetit në një vit që sapo nisi.

Me plumb në zemër, vritet Kastriot Reçi

Të martën, në qendër të Rrëshënit u ekzekutua me plumb në zemër, biznesmeni Kastriot Reçi. Qyteti u trondit nga vrasja e bujshme, duke rikthyer frikën e eliminimeve për hakmarrje gjatë viteve të fundit në këtë qytet. Vrasja mund të lidhet me disa ekzekutimeve që kanë ndodhur ndër vite. Një dëshmitar i ngjarjes tregoi që nuk pati zhurma të shtënash, e po ashtu edhe në vendin ku Kastriot Reçi u qëllua, ishin pak njolla gjaku, çka konfirmon se mund të jetë përdorur Snajper për të kryer vrasjen. Kastriot Reçi deri në vitin 2018, sipas Autoritetit të Mediave Audiovizive, ka qenë aksioner në televizioni lokal “Media +”, por që në atë kohë i është hequr licenca me vendim bordi. Lidhur me atentatin, burime të policisë bëjnë me dije, se ka qenë i planifikuar dhe i organizuar duke iu referuar dinamikës së ngjarjes dhe armës me të cilën viktima u qëllua. Pista e parë mbi të cilën grupi hetimor po punon, është ajo e hakmarrjes, pasi përpara dy viteve, në Romë të Italisë, u vra vëllai i Kastriot Reçit, Gasper Reçi. Dyshimet për vrasjen e këtij te fundit, lidhen më vrasjen e ish zyrtarit të OSHEE, në Rrëshen, Sajmir Jaku.Pas vrasjes së Gasper Reçit, në Belgjike u vra edhe Kreshnik Gjini, nipi i Sajmir Jakut. Në atë kohë, dyshimet e policisë belge ishin se Gjini ishte vrarë nga dy atentatorë shqiptarë, të cilët sipas tyre u hakmorën për vrasjen e Gasper Reçit. E për të arritur kështu tek vrasja e katërt, këtë te martë, ajo e Kastriot Reçit. Ndërkaq në gusht të vitit të kaluar, në Rreshën u vra edhe Armand Gjini i njohur ndryshe si Tonin Gjini. Më herët ky i fundit i kishte shpëtuar një atentati me tritol. Në Rreshën, në orët e pasdites ishte edhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili zhvilloi një takim për disa minuta në komisariatin e policisë Mirditë, lidhur me ngjarjen e ndodhur. Po ashtu, policia për këdo që do të mund të jap informacione të vlefshme për autorët e kësaj ngjarjeje, ka vënë 2 milionë lek shpërblim.

Grabitet, vritet dhe mbytet 50-vjeçarja

Një ngjarje makabre ka ndodhur më 5 janar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku një 16-vjeçar dhunoi e vrau nusen e xhaxhait, me dy shokë të tij me të cilët kishte hyrë në banesë për ta grabitur. 50-vjeçarja, Drita Saliaj u gjet e pajetë në rezervuarin e fshatit dy ditë pas ngjarjes, nga polumbarët e forcave RENEA. Kunata Mjaftoni Saliaj është shprehur se ata e kanë mbytur me shall dhe më pas e kanë lidhur. Ajo shton se djali që ka kryer krimin dhe është edhe i afërm i tyre është djel i keq, teksa babin e ka në burg për drogë. Gjithashtu shprehet se midis familjeve ka pasur konflikte. Mitat Saliaj, është kthyer nga Greqia pasi mori vesh lajmin. Kunati i viktimës, Drita Saliaj, shprehet për mediat se 16-vjeçari që torturoi dhe mbyti 51-vjeçaren ishte përdorues droge. Ai thotë se edhe banesa e tij është grabitur dhe dyshon te tre të rinjtë që vranë gruan. Autorët vijon më tej ai, kanë hyrë nga tavani brenda shtëpisë së tij. “Nuk kuptoj gjë, sa erdha, hapa derën, pashë që e kanë shqyer. Në shtëpi kisha 2-3 mln lekë mall. I kanë marrë të tëra veglat, unë sa erdha nga Greqia. Derën nuk e kanë kapur, kanë hyrë nga tavani. Policia nuk dinte gjë. Edhe ne nuk e vumë re. Kur isha këtu unë vija njëherë në 15 ditë. Autorët, ky nipi nuk ka qenë djali i mirë, por edhe të tjerët. Ishte djalë i keq, drogë dhe të gjithë gjërat i ka bërë. Nuk ka qenë i dënuar më parë, të atin e ka brenda”.

Eksploziv në banesën e shefit të policisë

Dy shpërthime tritoli kanë ndodhur në Shkodër. Shpërthimi i parë ka ndodhur në lagjen Guerrile, ku pre e sulmit ishte shtëpia e oficerit të Policisë, Prelë Milani, me detyrë shef i stacionit policor në Theth të Dukagjinit. Ndërsa shpërthimi i dytë ka ndodhur në fshatin Grudë e Re të Shkodrës në shtëpinë e Kolë Bungajës. Për fat nga dy këto shpërthime ka pasur vetëm dëme materiale. Sipas dëshmisë së Milanit në polici, ai ka thënë se nuk ka patur konflikte, por dyshon se ky sulm i ka ardhur si pasojë e detyrës si shef stacioni policor dhe dyshimet e para janë për shkak të operacioneve të kryera në zonën e Dukagjinit në luftë kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Pas 18 vitesh, vrasje në Tropojë

Guxim Gjyriqi 47-vjeç, u vra pranë pikës së karburantit të tij në lagjen “Partizani” Gjyriqit iu zu pritë dhe pasi e thirrën në emër, atentatorët e qëlluan me breshëri automatiku nga një mjet pa targa duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një makinë e djegur u gjet në fshatin Golaj të Hasit, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së 47-vjeçarit. Guximtar Gjyriqi, baba i tre fëmijëve, është kushëri i largët me Fatmir Haklajn, ish-shefin e komisariatit të policisë së Tropojës, që dha dorëheqjen nga posti më 9 janar 1998. Ende nuk dihet nëse vrasja e Guximtar Gjyriqit lidhet me ndonjë konflikt të çastit apo hakmarrje, por burime konfidenciale pohojnë se familja Gjyriqi nuk ka pasur lidhje me atë se çfarë ndodhi me Haklajt dhe janë të vetmit që nuk kanë lëvizur nga Tropoja, duke jetuar të qetë ndër vite. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së Guxim Gjyriqit, që e konsideron të paqartë, identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, Kukës dhe dy grupe të FNSH, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Të vrarët nga aksidentet

Viktima e parë për 2020 u shënua në Kamëz nga një aksident në datë 2 janar. Një 32-vjeçar përplasi për vdekje me makinë një grua që po lëvizte me biçikletë. Po në të njëjtën ditë, dy këmbësorë humbën jetën nga një aksident rrugorë në zonën e Porcelanit në Tiranë. Erion Balla 36-vjeç dhe një grua e moshës 72-vjeçe, Hidajete Salliu, humbën jetën. Nga ekspertiza paraprake rezulton se shoferi Etjon Lazari, i cili drejtonte makinën ngjyrë gri ka qenë duke ecur me një shpejtësi mbi 80 km/h dhe makina ka qenë në marshin e katërt, ndërsa shpejtësia e lejuar në këtë aks është me 30km/h. Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy shoferët, Etjon Lazari dhe Edmond Murati. Gjyqtari Sokol Pasho ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë arrest me burg për dy shoferët. Më 5 janar, autobusi i linjës Tiranë-Athinë përplasi për vdekje këmbësorin në aksin Tepelenë-Gjirokastër. Drejtuesi i mjetit nuk e ka parë këmbësorin i cili ndodhej në cep të rrugës. Në Berat, një 65-vjeçar u aksidentua për vdekje nga një automjet në fshatin Otllak. Policia thotë se Gramoz Zani, në gjendje të dehur i ka prerë rrugën automjetit, tip “Benz E-Class”. Pas përplasjes ai u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte. Pak pas kësaj ngjarje, një “BMW” u përplas me një shtyllë të ndriçimit rrugor në aksin nacional Uznovë-Poliçan por drejtuesi i mjetit hoqi targat dhe njoftoi një karotrec që e lëvizi mjetin pa mbërritur policia.

Aksident në punë

34 persona kanë humbur jetën vetëm në 11 muaj të vitit 2019, si pasojë e aksidenteve në punë. Sektorët që janë shënuar më shumë jetë të humbura janë ndërtimi dhe ndërmarrjet prodhuese siç është fasoneria. Edhe ky vit ka filluar me aksidente. Rasti i fundit ishte ai i Korçës ku si pasojë e një aksidenti në punë humbi jetën Elvis Josifi, 36 vjeçar dhe u plagos shoku i tij punëtor, që u pasua me dy minatorë të plagosur në Bulqizë.

 

SHKARKO APP