Bilanci ‘dramatik’ i Vetting-ut! KSHH: Në dy vite u shkarkuan 83 gjyqtarë e prokurorë, 25 dhanë dorëheqjen
Megjithëse ka ecur me ritme shumë të ngadalta, në dy vite procesi i Vetting-ut ka sjellë pasoja dramatike në sistemin e drejtësisë, duke shkarkuar nga detyra 83 gjyqtarë e prokurorë e duke shkaktuar vakanca të rënda.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka propozuar në fund të vitit që sapo lamë pas të dhënat statistikore mbi ecurinë e procesit të vettingut deri në dhjetor të vitit 2019. Ato tregojnë se për një periudhë gati 2 vjeçare nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë dhënë 223 vendime për subjektet e rivlerësimit.
Rezulton se 83 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra, 97 janë konfirmuar në detyrë, ndërkohë që për pjesën tjetër është pushuar apo ndërprerë procesi i vettingut si rezultat i dorëheqjes apo daljes në pension. 50 prej emrave të shkarkuar janë gjyqtarë, 31 prokurorë, dhe 2 ndihmës ligjorë në gjykata.
Po gjatë kësaj periudhe për 17 gjyqtarë e prokurorë është ndërperë procesi i Vetting-ut për shkak të daljes në pension, ndërsa për 25 të tjerë i kanë shpëtuar procesit përmes dorëheqjes.
Ndërkohë për 102 subjekte është ushtruar e drejta e ankimit në Kolegj nga ana e Komisionerit Publik, ose vetë subjekti i rivlerësimit.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit është shprehur me vendim përkatësisht për 46 ankime, kryesisht duke lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë për shkarkimin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Por përtej efekteve dramatike, Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se procesi po ecën me ritme mjaft të ulëta, duke qenë se në dy vite në sitën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë kaluar vetëm 27% e magjistratëve. Ndërkohë që mandati i këtij komisioni është 4 vjet, numri total i gjyqtarëve dhe prokurorëve që duhet të kalojnë në sitë është mbi 800.
/SCAN