Bilanci i 21 muajve Vetting, në sitë 220 gjyqtarë dhe prokurorë

Në seancat e Vetting-ut, përgjatë dy viteve kanë kaluar 220 gjyqtarë dhe prokurorë të të tre niveleve. Vetëm 94 prej tyre kanë dalë të pastër në pasuri, figurë dhe profesionalizëm. Këtë fat nuk e patën 83 gjyqtarë e prokurorë. Kjo kategori dështoi të shpjegojë burimet e pasurisë dhe në disa raste lidhjet me persona të inkriminuar. Vetëm në një rast, i “vetuari” u kthye në Shkollën e Magjistraturës.

Për 42 gjyqtarë e prokurorë rivlerësimi u ndërpre, pushua apo përfundua pa vendim për shkak të dorëheqjeve dhe daljes së tyre në pension gjatë rivlerësimit. Kalimi në filtrat e Vetting-ut rezultoi më i vështirë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Nga fillesa e procesit të pastrimit të drejtësisë Kolegji i Posaçëm të Kualifikimit ka shpallur 46 vendime. Në nëntë raste KPA shkarkoi nga detyra gjyqtarë e prokurorë të konfirmuar në Shkallën e Parë, ndërsa për 31 të tjerë la në fuqi vendimin që i kishte përjashtuar nga sistemi.

Kalimi me sukses i dy shkallëve të Vetting-ut nga kandidatët e SPAK bëri të mundur ngritjen strukturës, që pritet të hetojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin dhe i hapi rrugë zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me mandat. Nga ana tjetër, Vetting-u nxori nga funksioni Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë. Ndërsa pakësimi i gjyqtarëve të dy shkallëve më të ulëta ka shtuar ngarkesën e dosjeve tek gjyqtarët aktualë, duke ngadalësuar dhënien e drejtësisë.

SHKARKO APP