Bilanci i një jave, 108 të arrestuar dhe 14 të shpallur në kërkim

Polcia e shtetit ka bërë bilancin javor ku në 7 ditë janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 430 shtetas, nga këta: 108 janë arrestuar, 308 janë proceduar penalisht dhe 14 janë shpallur në kërkim. Sipas njoftimit të policisë janë zhvilluar gjithsej 35 operacione policore me anë të së cilave janë goditur disa raste të kultivimit të lëndëve narkotike si dhe disa për armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit, në një javë! Angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe profesionalizëm nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, në çdo skaj të vendit, për të parandaluar dhe luftuar krimin. 10 operacione për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, 6 operacione për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje/lëndëve eksplozive dhe 19 të tjera për goditjen e veprimtarive kriminale në fusha të ndryshme.

•Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 430 shtetas, nga këta: 108 janë arrestuar, 308 janë proceduar penalisht dhe 14 janë shpallur në kërkim.

•Janë kapur në total 31 persona në kërkim, nga të cilët: 24 në kërkim kombëtar dhe 7 në kërkim ndërkombëtar.

•Janë zhvilluar 35 operacione policore të koduara: “Fuel”, “Ruger”, “Driving”, “Explode”, “House”, “Bongu”, “Receiver”, “Premtuesi”, “Pickpockets”, “Vapori”, “2nd Necklace”, “Fati i lojërave”, “Krasta”, “July”, “Bruz-Mali”, “Harta”, “On time”, “Last night”, “Road Guard 31”, “Road Guard 32”, “Road Guard 33”, “Procesi”, “Palçi”, “Cancel”, “Tenderi”, “Perimetri 181”, “Perimetri 182”, “Bypass”, “Brothers”, “Finish”, “Interaction”, “Levani”, “Harresa”, “Pulti” dhe “Continues”.

Si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, në të gjithë vendin, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, janë finalizuar:

•Operacioni “Pulti”/Shkodër – 250 forca policore kontrolluan territorin dhe asgjësuan 4200 bimë narkotike të kultivuara në zona të pyllëzuara, pas gjetjes së koordinatave të regjistruara nga monitorimi ajror i GDF-së dhe nga dronët e Policisë vendore;

•Operacioni “House”/Tiranë – U arrestuan babë e bir që kultivonin bimë narkotike në ambientet e banesës së tyre dhe e përgatitnin lëndën narkotike në doza, gati për shitje;

• Operacioni “Palçi”/Tropojë – U arrestuan babë e bir që kultivonin bimë narkotike, në afërsi të banesës së tyre;

•Operacioni “Continues”/Mirditë – U arrestuan babë e bir që kultivonin bimë narkotike, në ambient të hapur;

•Operacioni “Krasta”/Krujë – U vu në pranga një shtetas që kishte kultivuar bimë narkotike në Krastë dhe një shtetas tjetër që qarkullonte me armë zjarri, në automjet.

Për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje janë zhvilluar edhe 6 operacione të tjera:

•Operacioni “Ruger”/Tiranë – U sekuestruan 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, lëndë narkotike, 2 radio si ato të Policisë dhe sende të tjera të paligjshme dhe u vunë në pranga 2 shtetasit që i mbanin në banesat e tyre;

•Operacioni “On time”/Sarandë – U arrestua në flagrancë një shtetas që theu masën “Arrest në shtëpi” dhe kërcënoi ish-bashkëshorten e tij dhe bashkëjetuesin e saj, me një armë zjarri që e mbante pa leje;

• Operacionet “Driving”, “Last night” dhe “Levani” – U arrestuan në flagrancë 3 shtetas që qarkullonin me armë zjarri, në automjete.

• Gjithashtu është finalizuar operacioni “Explode”, gjatë të cilit u arrestua një shtetas që transportonte 20 kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol dhe 2 kapsolla detonatore me përcjellës elektrik.

Për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit janë zhvilluar 4 operacione, ndërsa për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve janë zhvilluar 5 operacione.

•Si rezultat i kontrolleve masive, operacioneve dhe goditjeve nga DVP-të në qarqe, janë sekuestruar lëndë narkotike kanabis, kokainë dhe heroinë, fidanë dhe bimë kanabis, 17 radio si ato të Policisë, dorashka, 7 maska, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja, mallra kontrabandë, shuma të konsiderueshme parash, të përfituara nga veprimtaria kriminale, dylbi, 7 automjete dhe 12 aparate celulare.

•Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 13 raste dhe janë sekuestruar 11 armë zjarri, 4 silenciatorë, 20 kallëpe triloli, 1 elektroshok, dy kapsolla detonatore me përcjellës elektrik, armë të ftohta dhe municion luftarak.

•Janë goditur 7 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 42 raste të dhunës në familje.

•Janë evidentuar dhe goditur 30 raste të krimeve mjedisore, 2 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 10 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

•Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 43 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 16 raste.

•Janë evidentuar dhe goditur 5 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar penalisht autorët e dyshuar.

✅Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin janë të angazhuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe për t’iu ardhur në ndihmë turistëve, në rast nevoje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë u kanë ardhur në ndihmë 3 turistëve çek që kishin mbetur të bllokuar në një zonë me terren të thepisur dhe me mjegull. Pas disa orësh kërkime, turistët janë nxjerrë nga terreni i rrezikshëm dhe më pas janë transportuar në spital, në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia Rrugore/Monitorim intensiv në të gjitha akset rrugore të vendit, duke përdorur flotën e re të automjeteve të pajisura me teknologjinë bashkëkohore, makinat inteligjente, Poliscan-in, dronin “edukues”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

•Gjatë kësaj jave janë pezulluar 435 leje drejtimi, nga të cilat: 251 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 79 për drejtim mjeti, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 105 për qarkullim në sens të kundërt e shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

•Janë arrestuar 61 drejtues mjetesh, nga këta: 32 për drejtim mjeti, në gjendje të dehur dhe 29 për drejtim mjeti, pa leje drejtimi.

•Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 4 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.

•Janë vendosur 14.952 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia Kufitare/Angazhim e përkushtim për përballimin me sukses të fluksit shumë të lartë në pikat e kalimit kufitar, në kuadër të sezonit turistik. Gjithashtu, vijojnë kontrollet me teknologjinë bashkëkohore europiane, për mjetet lundruese dhe argëtuese që përdoren gjatë sezonit turistik. Kontrolle të shtuara edhe në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimeve të tjera ndërkufitare.

•Gjatë kësaj jave janë kapur 8 shtetas në kërkim, nga të cilët 4 në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar.

•Janë goditur 14 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

•Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe 3 të tjerë, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.

•Gjithashtu, janë goditur 2 raste të mitëdhënies dhe 1 rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.

Policia e Shtetit po vijon operacionet policore dhe bashkëpunimin me qytetarët, partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për jetën dhe pronën e qytetarëve. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

SHKARKO APP