Bilanci i policisë, Tahiri: Viti 2015 me numrin më të ulët të vrasjeve

 

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një konferencën për mediat paraqiti disa statistika të luftës kundër krimit gjatë vitit 2015. Tahiri theksoi gjatë fjalës së tij se viti që lamë pas shënon disa rekorde pozitive në drejtim të vendosjes së rendit publik. Sipas tij, statistikat tregojnë se në vitin që lamë pas kemi numrin më të vogël historik të vrasjeve.

“Vrasjet, ky është vitit i parë në 25 vitet e fundit, ku numri i vrasjeve është thuajse gjysma. Është rekordi më pozitiv i punës së Policisë së Shtetit në 25 vitet e fundit.

Janë evidentuar 54 vrasje, të cilat përbëjnë numrin më të vogël absolut të 25 viteve të fundit. Edhe nëse e shohim në raport me numrin e vrasjeve në raport me 100 mijë banorë, shifrat tregojnë se ka shumë përmirësim dhe Shqipëria është në një nivel me vendet më të zhvilluara. Situata e përgjithshme e siguirsë në vend është mjaft e mirë, që do të thotë se puna parabndaluese ka qenë mjaft e mirë”, tha Tahiri.

Ai u shpreh se denoncimet në Komisariatin Dixhital ishin një histori suksesi. “Janë 35 mijë qytetarë që sot nëpërmjet aparatit celular përdorin komisariatin dixhtal, dhe janë 36 mijë raportime, që do të thotë 35 mijë qytetar kanë raportuar te policia për çështje që kanë shqetësuar komunitetin. Raportimet lidhen me krimet mjedisore, armëmbajtje, dhunë në familje, etj, madje raportimet në komisariatin dixhital kanë parandaluar edhe vrasje”,- tha Tahiri.

Ministri u nda dhe në luftën kundër korrupsionit brenda radhëve të forcave të rendit.  “Janë afro 1 mijë punonjës policie të proceduar gjatë vitit 2015. 243 procedim penal dhe 790 procedim disiplinor. Kjo tregon vendosmërinë për ta kthyer policinë në strukturë model. Dhe nga ana tjetër, kjo tregon masën dhe volumin e punës që duhet të bëjmë ne së bashku me qytetarët ndaj punonjësve që kanë shkelur ligjin. Edhe viti 2015 edhe viti 2015 tregon vendosmërinë tonë për të luftuar paligjshmërinë. Për ne është prioritet maksimal lufta kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit”,- tha ministri Tahiri.

SHKARKO APP