Bilanci nga Alibeaj për 2022: Berisha e Rama, dy vjetërsira politike që po mbajnë peng opozitën
Enkelejd Alibeaj shmangu një konferencë për mediat në fundvit, por kreu i grupit parlamentar të PD, pasqyrën e një viti të vështirë për selinë blu, e bëri përmes një reagimi në rrjetet sociale. Alibeaj lëshon akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha se po mbajnë peng opozitën për interesat e tyre personale. Akuzave të Berishës se janë të shitur tek Rama, Alibeaj iu përgjigjet me të njëjtën monedhë. Ai shkruan se Berisha prej vitesh ka bërë marrëveshje me Ramën, e sipas tij këto kompromise i bëjnë të duken lojtarë të fortë në politikë, por njërin e quan të zhytur në korrupsion, e tjetri thotë se ka mbi shpinë vulën e ‘non gratës’.
Shkrimi i plotë
2022! Ky ishte një vit i vështirë për demokratët dhe pa dyshim një nga më të vështirët e tranzicionit të gjatë për shqiptarët. Në kushtet e një regjimi që ka hedhur rrënjë në çdo hallkë të shtetit, ku drejtësia e ka gjithnjë e më të vështirë të jetë funksionale dhe e drejtpërdrejtë, ku opozita po kalon kohën më të madhe në përçarjet mes vetes dhe halleve personale, qytetarët e thjeshtë e kanë vërtet të vështirë të ringrejnë shpresën për ndryshimin që kërkojmë të gjithë.
Të mundësh një regjim të instaluar nga hallka më e fundit dhe deri në majën e shtetit është një mision i vështirë, por jo i pamundur. Për ta bërë këtë, së pari, duhet të jemi të vërtetë me veten, me faktet, me atë që ndodh, dhe mbi të gjitha me alternativën që mund të sjellë ndryshimin. Të mundësh një regjim të mirëstruktuar patronazhist duhet një organizim i fortë, angazhim i strukturave partiake. Por mbështetja dhe vota e elektoratit të pavendosur, të qytetarëve të zhgënjyer nga banaliteti i politikës së ditës, është kusht i domosdoshëm për opozitën që të vijë në pushtet.
Dhe për të bindur këtë kategori, opozita ka nevojë për alternativë dhe figura të pakompromentuara. Për politikanë të papërfshirë në afera korruptive, larg gjuhës së urrejtjes, linçimit. Sepse ky është modeli që shqiptarët kanë parë mjaftueshëm me Edi Ramën. Të mundësh një regjim, mbi të gjitha ka nevojë për moral dhe vërtetësi. Jo nga ato përbetimet e zakonshme të atyre që shahen e kërdisën, e më pas përtypin çdo gjë për hir të karriges. Intrigat, kurthet dhe hilet janë mekanizmat në duart e politikës së vjetër, që përpiqet të mbahet në këmbë me metodat komunistë. Me të njëjtat metoda, Edi Rama dhe Sali Berisha mbajnë sot peng opozitën, e bashkë me të edhe ndryshimin që presin shqiptarët. Dy vjetërsirat e tranzicionit mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë. Lojërat meskine, pazaret dhe marrveshjet, që ndër vite kanë bërë me njëri-tjetrin, i bëjnë të duken lojtarë të fortë, ndonëse të rrënuar nga hija e skandalevë dhe vula e non gratave.
Të mundësh një regjim duhet të largosh bashkë me të edhe të gjithë elementët që e mbajnë në këmbë. Dhe për të arritur këtë qëllim, nuk ka rrugë të mesme, nuk ka kompromise. Balta që prodhon regjimi dhe aleatët e tij, kurthet që ngrejnë dhe bullizmi që prodhojnë janë vetëm një pjesë e përpjekjeve për ta mbajtur në këmbë sistemin që kanë ngritur. Ajo që na bën ne të fortë është vendosmëria për t’u përballur me moral dhe vërtetësi. Me forcë dhe me kurajo. Mbi të gjitha, me dinjitet dhe më virtytin e çdo demokrati që beson se PD është forca e krijuar për të përfaqësuar dinjitetin njerëzor. Me ikjen e 2022, të mundim regjimin dhe të lëmë pas shpifjet dhe mashtrimet!