Bilanci paraprak, Peleshi: 8900 ha tokë janë përmbytur, 46 banesa janë evakuuar

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, thotë se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në krahasim me vitin 2010 janë shumë herë më të ulëta. Ai tha se ka pasur një bashkërendim forcash me shtabet bashkiake, gjë e cila ka reflektuar një menaxhim më të mirë të situatës, pavarësisht se përmendi faktin se rreziku i përmbytjeve është ende prezent.

”Ka qenë disa ditë intensive. Së pari, duhet të përmendin punën e shtabeve bashkiake dhe të prefekturave. Ka pasur një bashkërendim të shtabeve në Shkodër, Dibër, Lezhë, Fier, Vlorë, Durrës dhe Gjirokastër, Tiranë, ku rreziku ka qenë më i madh. Është hera e parë që vihet re një bashkëpunim në këtë nivel”, tha ai.

Për të aktualisht në të gjithë vendin janë rreth 8900 hektarë tokë, që janë përmbytur dhe 46 banesa të evakuuara në qarkun e Lezhës. ”Janë 8900 ha të përmbytura sot që flasim. Janë evakuuar 46 banesa. Numri më i madh i banesave të evakuuara janë në Lezhë. Pjesa më e madhe e tyre janë strehuar tek të afërmit. Kemi pasur një situata kritike në Lezhë, ku disa ndërtime informale janë bërë problem. Janë gjashtë objekte. Janë strehuar tek familjarët. Ka disa argjinatura të dëmtuara. Puna e bërë për pastrimin e Drinit të Lezhës ka sjellë një situatë të përmbytjeve shumë herë më të vogël”, theksoi në ”Euronews Albania”.

Ministri tha se Shqipëria numëron dy vende, ku sipas Peleshit rreziku i përmbytjeve është tepër i madh. ”Ne rrezikun e kemi tek pjesa e NënShkodrës dhe në Lumin e Vjosës. Të mbash një lumë të egër në mes Shqipërisë, do të thotë të mbash edhe faturën e dëmtimeve që mund të ketë. Lumi Vjosë nuk ka dalë nga shtrati dhe kjo është pozitive. Vendi ynë është i ekspozuar ndaj përmbytjeve. Ajo që në kemi sot në dorë është të mund të bëjmë më të mirën”, shtoi ai.

SHKARKO APP