Bilanci tragjik i Covid-19/ 80 viktima e mbi 7 mijë infektime të reja në javën e parë të shkurtit
Shqipëria duket se po përjeton ditët më të vështira të pandemisë së koronavirusit gati një vit nga nisja e saj.
Java e parë e muajit shkurt u mbyll me një bilanc tragjik gjatë së cilës u regjistruan 80 viktima dhe mbi 7 mijë infektime të reja.
Situata më kritike është paraqitur në 4 ditët e fundit ku numri i personave të prekur për çdo ditë i ka kaluar 1 mijë.
Koronavirusi ka mbërritur thuajse në çdo bashki të vendit duke mos kursyer as të rinjtë, por Tirana kryeson listën e qyteteve që janë zonë e nxehtë e përhapjes së virusit.
Autoritetet Shëndetësore raportuan të dielën për 1 mijë e 124 persona pozitiv, të cilët u zbuluan nga kryerja e mbi 4 mijë testimeve.
Gjatë 24 orët e fundit 14 pacientë u dorëzuan përballë virusit vdekjeprurës më i riu ndër ta një 35 vjeçar.
Në spitale vijon të rritet numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim të specializuar.
Rreth 437 persona ndodhen nën kujdesin e mjekëve ndërsa në katër strukturat e dedikuara për koronavirusin kanë mbetur më pak se 120 shtretër të lirë.
Për të frenuar përhapjen e covid-19 mjekët këmbëngulin në mbajtjen e maskës dhe shmangien e grumbullimeve.