Bino: Nëse dyshoni për Covid-19, vaksinën nuk e bëni për 2-4 javë
Vaksinimi anti-covid ka disa kritere. Nëse keni në shtëpi një familjar të prekur nga koronavirusi nuk duhet ta bëni vaksinën anti-covid pa kaluar të paktën 1 muaj. Nëse keni patur kontakte me një të prekur jashtë familjes, duhet të prisni të kalojnë dy javë.
Shefja për Sëmundjet Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino këshillon qytetarët të ndjekin këtë këshillë, ndërsa u kërkon të mos fshehin problemet shëndetësore gjatë pyetësorit në qendrat e vaksinimit.
”Ka qytetarë që janë asimptomatik dhe kanë pasur kontakt me një person pozitiv. Ata nuk duhet të vaksinohen brenda dy muajve. Kur kanë të infektuar brenda familjes, duhet të kalojë dy herë periudha e inkubacionit”, thotë Bino.
Nga ana tjetër, ajo deklaron se të katër tipet e vaksinave që kanë hyrë në Shqipëri janë efikase dhe ulin format e rënda dhe vdekjet nga Covid-19. ”Nuk ka asnjë indikacion të veçantë për një vaksinë apo tjetër. Të gjitha vaksinat të mbrojnë ndaj sëmundjeve të rënda 100% dhe ndaj vdekjeve. Ky është misioni kryesor në lidhje me Covid-19. Sa i përket transmetueshmërisë, kjo gjë po studiohet”.