Bino: Po hartohet plani i vaksinimit për grupmoshat 12-15 vjeç

Në një kohë që në vend janë mbi 700 mijë të vaksinuar, qeveria po përgatit programin për vaksinimin ndaj koronavirusit të fëmijëve 12 deri në 15 vjeç. Pas vendimit të Agjencive Rregullatore Europiane dhe amerikane, Komiteti i Ekspertëve në vendin tonë do të diskutojë planin për vaksinimin e kësaj grupmoshe.

Pfizer do të jetë vaksina që do të aplikohet te kjo grupmoshë. “Deri tani, vetëm Pfizer ka marrë aprovimin për aplikimin te fëmijët e moshave 12-15 vjeç. Ka dhe vaksina të tjera që janë duke u studiuar, por Komitetit i Ekspertëve në vendin tonë po shqyrton dosjet në lidhje me Pfizer-in. Vaksinimi i kësaj grupmoshe është një rekomandim që po përpunohet dhe po bëhen planet se si do të zbatohet te fëmijët”, tha Silva Bino, shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik.

Instituti i Shëndetit Publik po kryen një studim për efikasitetin e vaksinës në personelin shëndetësor, i cili më së shumti është vaksinuar me Pfizer, një pjesë me AstraZeneca dhe një pakicë e mjekëve me vaksinën kineze. Ky studim do të marrë një vit kohë.

SHKARKO APP