BIRN: 133 milionë euro për 42 kilometra rrugë

Nga Gjergj Erebara (BIRN)

Taksapaguesit shqiptarë shpenzuan afro 16 miliardë lekë gjatë vitit 2021 për të marrë në shkëmbim afro 42 kilometra rrugë, nga të cilat, 8.8 Km janë autostrada dhe pjesa tjetër janë rrugë të kategorisë B1 ose C2, kategori këto që përshkruajnë rrugë me dy korsi dytësore ose rrugë fshati.

Raporti vjetor i Ministrisë së Transportit tregon se punimet e kryera në ndërtim rrugës përfshijnë unazën e shumëpërfolur të Tiranës, Rruga Kardhiq – Delvinë, e cila duhej të kishte përfunduar para dy vjetësh si dhe disa segmente rurale.

Projekti më i kushtueshëm është rindërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës në segmentin Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja, një projekt të cilit qeveria i referohet si “Rrugë Tip A (2×2) sipas standardeve të reja.” Ministria raporton se për një segment prej 1.49 kilometrash janë shpenzuar gjatë vitit të kaluar 4.5 miliardë lekë, ose afërsisht 3 miliardë lekë apo 25 milionë euro për kilometër. Të trija tenderët kontroversë të këtij segmenti, kanë përfunduar me kërkesa për shtesa fondesh pavarësisht se kanë qenë sakaq rrugët më të shtrenjta në historinë e vendit.

Qeveria ka një kategori tjetër rrugës, të cilave u referohet si Rrugë A2 me katër korsi (pa standardet e reja), për të cilën janë shpenzuar 2.7 miliardë lekë për 4.46 kilometra rrugë, me një kosto mesatare prej 6 miliardë lekësh ose 5 milionë eurosh. Qeveria rendit 1. “përfundimin e punimeve të mbetura dhe plotësimi me rrugë dytësore të nyjes së Milotit,” një projekt i nisur mbi një dekadë më parë për një mbikalim dhe disa rrugë lidhëse me mbikalimin; 2. Unazën e jashtme të Tiranës, segmenti kthesa e Saukut deri te Bregu i Lumit, Unaza lindore lotet 2 dhe 3 dhe Bypassi i Shkodrës.

Gjatë vitit të kaluar u shpenzuan 4.1 miliardë lekë për rrugë të tipit B1, ku përfshihet rruga Kardhiq  – Delvinë. Ministria raporton se këto para kanë mjaftuar për të ndërtuar 5.12 kilometra rrugë, gjë që tregon se këto rrugë kanë kushtuar mesatarisht 800 milionë lekë ose 6.7 milionë euro për kilometër. Rrugët B1 janë me dy korsi me gjerësi tipike 9-11 metra. Punimet në to përfshijnë një shtresë çakëlli 30 centimetra si dhe shtresat asfaltike plus mure mbajtëse kur është e nevojshme.

Rruga Kardhiq-Delvinë u tenderua në disa lote shumë vite më parë, në tenderë që u fituan nga një numër kompanish me oferta fare pranë fondit limit. Punimet duhej të përfundonin brenda 24 muajsh sipas kushteve të tenderimit, por kanë kaluar sakaq tre vjet e gjysmë ndërsa kontraktorët kanë kërkuar fonde shtesë nga qeveria.

Qeveria ka qenë relativisht më e suksesshme në realizimin e rrugëve të tipit C2, për të cilat janë shpenzuar 4.1 miliardë lekë për 28 kilometra linearë. Këto rrugë janë me dy korsi dhe përfshihen kryesisht rrugë fshati. Shifra prej 28 kilometrash mund të jetë jo shumë informuese në këtë rast pasi në këtë kategori qeveria ka përfshirë edhe ndërhyrje dytësore në rrugë ekzistuese si ndërtim tombinosh apo stabilizim rrëshqitjesh. Gjithsesi, kjo kategori rrugësh i ka kushtuar taksapaguesve afro 1.2 milionë euro për kilometër.

Gjatë vitit 2020, taksapaguesit shpenzuan 10 miliardë lekë për ndërtimin e 16.56 kilometrave rrugë.

SHKARKO APP