BIRN: Ndryshimi i buxhetit me Akt Normativ pritet me kritika në Kuvend

Akti Normativ i qeverisë për ndryshime në buxhetin e vitit 2024 u prit me kritika të hënën gjatë shqyrtimit të tij në komisionet parlamentare. Kritikat u adresuan kryesisht nga deputetët e opozitës të cilët e cilësuan shqetësues përdorimin e këtij mekanizmi si një praktikë të vazhdueshme në ndryshimin e buxhetit të shtetit duke i mohuar Kuvendit mundësinë për të vendosur për ndryshimin e tij, si një e drejtë kushtetuese.

Ministri i sapoemëruar në krye të Financave, Petrit Malaj, u përball me pyetje mbi menaxhimin e fondeve publike, mungesën e transparencës në rialokimin e tyre, lënien jashtë vëmendjes së grupeve shoqërore vulnerabël, për kthimin e fondeve të mbledhura nga profesionet e lira pas shfuqizimit të tatimit të tyre nga Gjykata Kushtetuese, etj. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se mekanizmi i ndryshimit me akt normativ ishte anti-kushtetues, ndërsa akuzoi ministrinë se nuk justifikonte dyfishimin e vlerave të projekteve infrastrukturore. ”Keni shtuar 260 milion euro për vetëm 3 projekte rrugësh pa asnjë studim fizibiliteti apo ndryshim projekti”- pyeti ai ministrin, duke aluduar për “aferë korruptive” rritjen e vlerave të projekteve të miratuara më herët me vlera të tjera.

Ministri Malaj argumentoi se Financat kishin miratuar një kërkesë të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe se faktorët lidheshin me rritjen e kostove të ndërtimit e ndryshimin e kursit të këmbimit. “Vlerat datonin shumë vite më parë, dhe ishte e nevojshme të rishikojmë këto vlera qoftë në aspektin e rritjes kostove, por edhe ndryshimit të kursit këmbimit”,-u përgjigj ai. Por përgjigja e tij nuk ishte bindëse për opozitën. Bardhi e cilësoi jo të saktë, duke pretenduar se vlerat e projekteve të rrugëve ishin përcaktuar me vendim qeverie 5 muaj më parë. Edhe në komisionin e Ekonomisë dhe Financave ministri u përball me pyetje nga deputetë të dy krahëve politikë.

Deputetja Jorida Tabaku ngriti po ashtu pikëpyetje mbi fondet që i shtoheshin projekteve të infrastrukturës duke e cilësuar të paplotë argumentimin në relacionin e ministrisë. Një tjetër shqetësim i Tabakut lidhej me mënyrën se si do të kthehen paratë tek profesionistët e lirë, pasi ligji i qeverisë për taksimin e tyre u shfuqizua në qershor. “Ju thoni që e bëmë Aktin Normativ për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për profesionet e lira, por ju ato 1.5 miliardë lekë ende nuk ua keni kthyer atyre që u takojnë”- iu drejtua ajo ministrit.

Malaj pretendoi se Akti Normativ e justifikonte urgjencën nga ky vendim, por nuk sqaroi se si kishte menduar qeveria që të kthente parat që e mbledhura. “Qeveria ka vullnetin për t’i kthyer mbrapsht, por po ndjekim rrugën ligjore, prandaj i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të na orientojë se si duhet të veprojmë”- u justifikua ai. Deputetët socialistë patën kritika e pyetje që lidheshin me realizimin e shpenzimeve. “Relacioni nuk flet për realizimin e shpenzimeve, ska asgjë”, tha Erjon Braçe, ndërsa deputetja Pranvera Resulaj pyeti ministrin se “çfarë na garanton që diferenca prej 150 miliardë lekësh do të jetë e realizueshme në 3 muajt e fundit të vitit?”

Ndryshimet parashikojnë rritjen e të ardhurave me 27.2 miliardë lekësh, duke rishpërndarë shpenzimet në disa institucione, por pjesa më e madhe e shtesës, 6.6 miliardë lekë i akordohen Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në programin e infrastrukturës. Procedura parlamentare parashikon që Kuvendi ka të drejtë vetëm ta miratojë ose ta rrëzojë një akt normativ, por jo të ndërhyjë në të, pasi ai është një mekanizëm i ndryshimit të ligjit me fuqi të menjëhershme. Kjo është hera e dytë brenda vitit që qeveria ndryshon buxhetin me akt normativ. Në muajin mars akti parashikonte një rialokim fondesh për një financim 400 milionë euro në tre vitet e ardhshme për ndërtimin e një portit të ri tregtar në Porto Romano, pasi qeveria dha me koncension portin ekzistues të Durrësit për ndërtimin e një porti jahtesh dhe pallate shumëkatëshe. /Reporter.al/

SHKARKO APP