BIRN: OFL pa bilanc, por ministri e quan ”sukses”
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i thirrur të enjten në interpelancë në Kuvend nga deputeti Ervin Salianji, e mbrojti OFL-në si të suksesshëm, paçka se konfiskimet e pasurive të dyshuara si kriminale u rrëzuan në shumicë nga gjykatat. “Ne gjykojmë se konfiskimi i dhjetëra miliona eurove që rrjedhin nga aktiviteti kriminal është sukses, dhe jo dështim”,-tha Çuçi për OFL-në.
Sipas ministrit, ky operacion nisi si aksion me qëllim që të shndërrohej në proces të vazhdueshëm të hetimit financiar në luftën kundër pastrimit të parave. Por ndryshe nga ç’pretendon ministri, të dhënat e publikuara nga BIRN tregojnë se nga 346 pasuri të sekuestruara me një vlerë tregu prej 3 miliardë lekësh, vetëm 15 pasuri ishin konfiskuar me vendim gjykate deri në shtator të vitit 2021, mes të cilave 13 makina dhe një njësi tregtare.
Gjatë interpelancës për punën e policisë, ku solli shifra për vrasjet dhe rekorde të tjera, Çuçi paralajmëroi rikthimin e vetingut në polici. Ai e quajti procesin një “dosmosdoshmëri” dhe një “iniciativë madhore e novatore”. “Kërkon rrugën e saj për t’u shtruar dhe për të qenë e qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe jo një masë ad-hoc”,-tha Çuçi.
Ministri Çuçi bëri të ditur se ministria që drejton ka dërguar në Kuvend amendimin e ligjit ekzistues të vetingut, duke i përqendruar nivelet menaxheriale dhe strukturat me rrisk të lartë korrupsioni. Lidhur me situatën e kriminalitetit, ai tha se flasin statistikat e ftohta dhe se publikut i ofrohet një “alarm i qëllimshëm” i pabazuar në të dhëna konkrete.
“E kemi gjetur në 2012 më 126 viktima dhe tani kemi 61, pra më shumë se përgjysmuar. Plagosjet e rënda i gjetëm 163 raste në vitin 2013 dhe i ulëm me 140 raste në 2021. Vjedhjet me pasojë vdekjen i gjetëm 6 dhe 0 në vitin që kaloi”,-tha ministri.
Deputeti demokrat, Ervin Salianji tha se shumë prej pyetjeve të tij nuk kishin marrë përgjigje nga ministri dhe një prejt tyre ishte dhe një shkresë e dërguar lidhur me aksionin e konfiskimit të ndërtimeve pa leje në kryeqyet. Deputeti tha se ka kërkuar listën e subjekteve të konstatuara që kanë kryer ndërtime të paligjshme apo kanë shkelur ligjin dhe listën e subjekteve që IKMT ka referuar në prokurori për ndërtimet pa leje.
/Reporter.al/