Bisedë me gazetarin Edmond Arizaj, rreth profesionit, karrierës, politikës, gazetarisë, pushtetit dhe integritetit

Bisedë me gazetarin Edmond Arizaj, rreth profesionit, karrierës, politikës, gazetarisë, pushtetit dhe integritetit

Gazetari që nuk bëri pazar

“Koha Jonë” është tashmë libri i madh i historisë së gazetarisë shqiptare. Ka shumë personazhe në këtë libër. Kemi zgjedhur të flasim sot me një prej më të veçantëve mes tyre, jo thjesht për emrin, por edhe për karrierën dhe qëndrimet e spikatura, Edmond Arizaj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai na pret i qetë, megjithëse nuk e pëlqen shumë këtë ndërrim pozicionesh. “Është pak dilemë kjo, gazetari pyet, apo përgjigjet?!”, thotë duke qeshur. Kush është gazetari mes ne të dyve?

Swiss Digital Mobile Reklama

Pse jo ekranit

Megjithëse kisha përgatitur tjetër hyrje në bisedën tonë, ai më kaloi menjëherë në situatën e pothuajshme përnatshme, televizione ku prezantohen të ftuar e gazetarë që flasin si politikanë, analizojnë si specialistë dhe sillen si prokurorë. “Jo vetëm gazetarët dalin nga korsia e tyre. Janë edhe të tjerët që jo vetëm dalin nga korsia, por edhe nuk dihet se çfarë korsie vrapojnë”, më thotë enigmatikisht. Dhe e pyes troç: Çfarë s’të pëlqen? “Ka shumë. Përshembull sipas meje, “paralajmërimet pa emra, por me nënkuptime; do arrestohet një ministër që mban çantë me susta, një biznesmen mbi të 40-tat dhe nën të 50-tat është nën hetim, një botues që pi kafen e mëngjesit pa sheqer do të bjerë në rrjetë, një grup kriminal që vesh bluza me vija takoi një politikan me flokët e krehur jugosllavçe, vijnë erë, erë të rëndë që s’ka lidhje me deontologjinë e gazetarisë, por me të tjera gjëra”. A është ky shqetësimi që nuk del më në ekran prej vitesh? Mondi, siç i flasin, qesh dhe përgjigjet thjeshtë: “Unë kam pasur dhe kam në fakt tjetër qasje. Ekrani sipas meje, duhet të sjellë sqarim për publikun, dmth të premten, këdo emision televiziv të ketë ndjekur të enjten në darkë, publiku duhet të jetë i sqaruar dhe qartësuar për atë çështje. Këtë e bëjnë specialistët e çdo fushe, dhe analistët. Analistë janë ata që studiojnë shumë ditë për një çështje, dhe kur venë në studio, kanë aftësitë, pra logjikën, mendimin, artikulimin, thjeshtësinë për të dhënë brenda kohës gjithë narrativën. Specialistët janë mjekët, inxhinierët, IT, biznesmenë, grupe interesi etj, që flasin për përvojën vetjake në bazë të temës. Gazetarët, shumica, bëjnë kakofoni, thonë shumë duke mos thënë asgjë, mbajnë anë, bëhen palë, u shërbejnë interesave që tejkalojnë misionin, ndryshojnë kahje si pa të keq, nuk e drejtojnë opinionin publik, por e shtrembërojnë shpeshherë, nuk kërkojnë kurrë falje, akuzojnë me fjalë”, thotë ai duke shtuar pa drama: Ku hyj unë këtu?! Si përherë ai të lë pa fjalë me logjikën e tij, në një botë kaq shumë vanitoze, dikush që e ka mundësinë e refuzon ta bëjë.

Në foto: Gazetarët e gazetës KOHA JONE, Edmond Arizaj, Roland Qafoku, Manjola Zeka dhe Teuta Shamku në zyrat e gazetës

Dilemat gazetareske

A ka Mondi ndonjë ngjarje të spikatur në karrierën e tij? Ai pohon pa mëdyshje. “Nuk i shënoj si spikatje, kërcënimet, fyerjet, fjalët e rënda, ulërimat, madje as dhunën nga policë civilë të kohës së Bujar Nishanit, ca specie të neveritshme mbushur me kapadaillëk e budallallëk. Por pothuaj pengmarrja për disa orë për shkak të një shkrimi dhe kërkesa për të nxjerrë burimin e lajmit, po këtë e quaj ngjarje të spikatur”, thotë ai diçka që për herë të parë e dëgjojmë. “Nuk e kam treguar ndonjëherë. Pak njerëz janë në dijeni të saj, ka ndodhur kur unë punoja në Kosovë në vitet 2000-2001. Dhe s’kam për të treguar më shumë, sepse për mua vlen më shumë Kosova, si atëherë si tani, se sa çdo mundësi përfitimi kreditesh profesionale”, më thotë duke më bllokuar çdo pyetje, por duke hyrë në terrenin e dilemave: A duhet rrëfyer një përvojë e fortë personale, që ka lidhje direkt me profesionin, por që mund të shkaktojë deri urrejtje krahinore. Mondi këtu është i prerë: “Gazetari nuk është thjesht tregimtar, është edhe mendimtar, edhe peshues, edhe vlerësues. Besoj që ndonjëherë mund ta lëmë mënjanë egon dhe vanitetin, për diçka më të madhe”, thotë ai. Dhe meqë jemi këtu dhe e kam kthyer me kokëposhtë bllokun ku kam shënuar pikat e mia, po sfidohemi për të tjera dilema gazetarie, psh a duhet ta themi të vërtetën edhe kur shkakton panik?! “Ti më pyet dhe unë po të përgjigjem: Nëse kemi titullin “Pritet një tërmet i fuqishëm”, jemi duke informuar, apo po nxisim frikë dhe irritim?”, Arizaj zgjedh të bëjë të vështirin, më të vështirin në fakt duke bërë kundërpyetje, por si e mendon ai. “Unë jam për informimin pa sensacion, pa etje klikimesh. Unë nuk lexoj pothuaj fare titujt “Masakër në mes të qytetit, viktima dhe panik”, por i referohem atyre me titull “Një i plagosur në mbrëmje vonë në lagjen X në Tiranë”. Dhe nuk mund të mos prek dy nga dilemat më të mëdha: Liri e gazetarit kur pronari i medias është duke darkuar me politikanët dhe si mbijeton gazetari teksa pretendon lirinë kur reklamat vijnë pikërisht nga politika dhe korporatat?! E shoh që e kapa ngushtë, hera e parë që Arizaj mendohet pak më gjatë. “Nga sa kam lexuar unë, në botë ka pasur përherë gazetarë të guximshëm, por pothuaj nuk kam hasur kurrë ndonjë pronar, pra ai që jep rroga, që të sakrifikojë për të vërtetën. Le të rrimë shtrembër e të flasim drejt: Në kohën ku jetojmë nuk ka media të pavarur në atë kuptimin filozofik. Nuk ka. Çdo media jeton me reklamë. Reklama vjen nga X biznes. Ti si media atë biznes nuk e godet dot. Këtu mbyllet diskutimi I pavarësisë. E në këtë kontekst, besoj mbyllet edhe diskutimi për pavarësinë totale të gazetarëve. Me politikën pastaj është më e koklavitur, sidomos në vendin tonë, sepse nuk ka gjë që nuk ka lidhje me politikën. Sipas meje, nëse do ishte një biznes i fortë dhe i pastër, i pavarur nga politika, mund të ngrinte një media të pavarur, që pastaj ndoshta gjente apo rriste gazetarë të vërtetë, edhe ata të pavarur. Mund, nëse, ndoshta, ishallah…më duket goxha e vështirë dhe për vende të tjera, jo më për vendin tonë. Por do kënaqesha qoftë edhe me njëfarë balance”.

Karriera

E lë pak mënjanë këtë diskutimin e dilemave që s’ka të mbaruar dhe e pyes për karrierën, sidomos për “Koha Jonë”. Dhe Arizaj nuk më zhgënjen me përgjigjen: “Është një nga periudhat më të bukura, thotë ai. Jo vetëm që kam punuar me gazetarë profesionistë, por ishte si të vishje bluzën e Flamurtarit, rëndonte fanella. E sidomos me Nikollë Lesin, që mund të ngryseshe gazetar e të gdhiheshe drejtor”, thotë ai duke qeshur. Arizaj ka punuar në të gjitha mediat e dikurshme të KJ, po ashtu edhe në Kosovë, në disa televizione si drejtues dhe opinionist, analizat dhe shkrimet e tij i kemi parë në pothuaj të gjitha gazetat e dikurshme dhe portalet e sotme nga ato më kryesoret deri tek periferiket, ka qenë këshilltar mediatik e politik në disa ministri, ka qenë dhe është i spikatur në debatet publike, madje Arizaj është autor i shkrimit më të lexuar dhe më të shpërndarë në vend dhe jashtë tij nga ku filloi edhe debati i madh për shërbimet në turizëm “Budalla mos shko në jug”. A e ndjen ai peshën e kësaj karriere? “Duket sikur ka qenë dje fillimi kur shkruaja vetëm me iniciale”, thotë ai duke qeshur e duke më treguar disa histori nga koha që ai e quan shkollë e dytë në KJ. E nuk mund ta lë pa e pyetur për botuesin, Nikollë Lesi…Mondi e përshkruan kështu: “Nikolla ka qenë si rrebesh, mund të freskoheshe, por mund dhe të përmbyteshe. Megjithatë unë besoj se pa Nikollën, Koha Jonë nuk do kishte histori”. Cilët janë emrat që do veçonte ai nga gazetarët që ka punuar apo njohur? Arizaj mendohet shumë, më shumë se herët e tjera. “Nga ajo kohë unë kam miq, kam dhe ndonjë mik të humbur. Kam nostalgji. Kam dhe debulesë ndonjëherë. Nëse unë do filloj të përmend emra, do ndihem fajtor që mund të harroj këdo tjetër, nga KJ, nga Sporti, nga Aks, nga radio, nga televizioni nga bashkëpunëtorët”, thotë ai si me keqardhje. Nuk e ngacmoj më tej, por nga një seri ministrish dhe institucionesh ku ai ka punuar cilin drejtues mund të veçonte?  “Sigurisht që nuk mund të bëj komente për askënd, ruaj respektin tim për këdo që kam punuar. Unë personalisht jam pak i vështirë në marrëdhënie pune. E kam problem të më punësosh si këshilltar e pastaj të më këshillosh se si duhet të të këshilloj. Ky është një problem në fakt në institucionet tona, pasi drejtuesit, mendojnë se mund t’i bëjnë të gjitha vetë”, thotë ai. Meqë Arizaj po tregohet politikisht korrekt, ashtu si në fakt nuk është sidomos në shkrimet e tij, i kërkoj të më japë ndonjë detaj interesant nga cilado prej ministrive. “Në Ministrinë e Integrimit ishte një staf shumë profesionist, por që punonte i gjithi në një zyrë, një dhomë e stërmadhe poshtë Pallatit të Kongreseve, ku në tavolinat e vendosura në formë rrethore uleshin specialistët, shefat e sektorit, drejtorat, kabineti. Vetë titullarja, Ermelinda Meksi, ishte në një zyrë, që sot e kanë specialistët me kontrata në institucionet e rretheve. Ato ishin kushtet, por ama fryma ishte fantastike”.

Po me cilin ai ka pasur debatet me të mëdha? “Në punë ka dhe debate, madje kam pasur dhe më shumë se debate me ndokënd, por gjithçka ka mbetur aty”, thotë ai. Nuk hakmerret? Sepse Arizaj për vetë statusin e tij ka mundësi të bëjë keq. Ia bëj këtë ngacmim. Ai duke qeshur thotë: “Kurrë nuk e kam bërë. Të përdor statusin tim, për të nxjerrë inate me dikë që kam punuar qoftë edhe një orë?! Asnjëherë. Kam pasur disa përplasje të forta që mund ta bëja, por më është dukur përherë shumë e ulët kjo. Madje nuk kam reaguar edhe kur më kanë sulmuar personalisht”. Wowww! Ja këtë nuk e dija. Por Arizaj nuk e vazhdon gjatë këtë pjesë të errët përgjatë karrierës së tij. “Ka njerëz që ligësinë e kanë pjesë të tyre, nëse ua kthen me ligësi, thjesht sa i ushqen, por nëse i injoron, i lë  të mbyten në detin e pamëshirë të indiferencës. Indiferenca ndaj këtij lloji është arma më e fortë”. E shohim që Mondi nuk ka më dëshirë të flasë për këtë pjesë, ndoshta ka dhe ndopak dhimbje. Por unë vazhdoj ngacmimin këtë rradhë për gazetarët, cilët do të veçonte ai, kë lexon prej tyre dhe a ka ndonjë këshillë? “Do më dukej e tepërt të jap këshilla për kolegët. Në Shqipëri edhe gazetaria si shumica e profesioneve është në tërheqje sfilitëse, disa që bëjnë padrejtësi e disa që punojnë me ndershmëri. Mendoj që ç’rregullimi, rrëmuja, “boom”-i i gazetarëve dhe mediave, nuk i shërben fjalës së lirë, e aq më pak fjalës. Fjalës i ka ikur fare pesha. Ka inflacion shkrimesh, por pak mendim. Ka bollëk sulmesh, por pak strategji, analizë, apo thelb, sepse edhe sulmet nuk duhen bërë si hunët, por si Aleksandri, jo për të shkatërruar e bërë hi, por për të ndërtuar diçka më të mirë”, thotë ai.

Përballë dhe përkrah pushtetit

Arizaj ka të paktën 26 vjet karrierë, në pozicione të ndryshme, herë përballë pushtetit si gazetar, investigues, polemizues, komentues e analist, e herë këshilltar i ministrave të pushtetit. Ku është ndier ai më komod? “Çdo punë ka veçantinë e saj. Çdo person ka individualitetin e tij. Nuk besoj se je duke bërë punën normalisht kur je komod. Profesioni ynë, pavarësisht në cilën anë të barrikadës ndodhesh, nuk është për të krijuar komoditete. Unë nuk mendoj se pushon së qeni gazetar nëse punon në një institucion, nëse ti vetë nuk e do një gjë të tillë”, thotë ai dhe megjithëse Arizaj nuk e përmend, ai vërtetë nuk ka rreshtur së shkruari edhe kundër qeverisë, apo emrave të veçantë të saj edhe pse në një kuptim ishte pjesë e saj. Si duhet ta shpjegojmë këtë, kur njohim emra të tjerë gazetarie, që kur ishin në detyra të tilla nuk pipëtinin, por sapo ua shkarkonin drejtorin, a ministrin, apo ata vetë, nisnin e shkruanin, e madje bëheshin opozitarë të vërtetë? “Unë nuk jam hero. As që kam bërë ndonjëherë përpjekje të dukem sikur çfarë po bëj. Gjithmonë kam shkruar çfarë mendoj, gjithmonë e kam menduar çfarë shkruaj, asnjëherë nuk kam shkruar çfarë nuk e mendoj, e nëse nuk kam shkruar nuk ka qenë për mosmendim. Nuk kam pasur anë, thjesht marrëdhënie njerëzore. Sot e kësaj dite, askush nuk e di për kë votoj unë, as për kë kam votuar ndonjëherë, madje as patronazhisti im nuk e dinte (qesh)”. Në fakt në ditët tona duket si idealizëm ky lloj qëndrimi i Arizajt, dhe ai nuk vonon ta përforcojë mendimin tim. “Nuk kam pasur kurrë marrëdhënie partiake në asnjë prej punëve të mia, dhe janë shumë të tilla. Kam pasur natyrisht ndërhyrje, kërkesa, ankesa, si shumica e gazetarëve besoj, por nuk kam pasur kurrë, ndoshta dhe për shkak të karakterit, përcaktime për ndonjë shkrim timin. Në mijëra shkrime që mund të numëroj në karrierën time, nuk ka asnjë që mos të jetë pjellë e imja”, më thotë Arizaj, por kur sheh habi dhe mosbesim në sytë e mi qesh dhe shton: “Patjetër që kam shkruar për X, apo Y, i majtë, i djathtë, apo i qendrës, si e ka kërkuar X apo Y, por shkrimi, fjalimi, apo çfarëdo gjëje tjetër ka pasur emrin e X, apo Y sipër. Shkrimet që janë me emrin tim, janë vetëm të mendjes sime, si i kam menduar unë”. Më mbetet pak kohë për ta pyetur për familjen, për politikën edhe për ndonjë dilemë tjetër të gazetarisë që nisëm, prandaj nuk e zgjas më këtë bisedë interesante.

Në foto: (nga e djathta), gazetari Edmond Arizaj dhe Enton Abilekaj. KOHA JONE

Familja

Arizaj është shumë kategorik. Familja për të është tepër personale. Megjithëse ai ka bërë shkrime si për vajzën Edmën, si për djalin Erdetin, ka një bashkëshorte kolege Manjolën, sërish nuk preferon që t’i bëjë pjesë të bisedës. “Jeta jonë, shoqëria jonë, është aq shumë e ekspozuar në mediat sociale, sa vetëm pak mbetet personale. Këto rrëfimet familjare nuk është se më pëlqejnë shumë. Unë nuk jam ndonjë aktor, këngëtar, influencer, apo artist që të ngjall kurreshtje tek lexuesit me familjen, apo histori. Familja është kaq personale, duhet të jetë e tillë. Kështu që le të flasim për atë që unë di të bëj”, thotë ai. Në rregull, flasim pak për politikë.

Me politikën

Këtu vendosa të bëj të njëjtën gjë që ka bërë ai kur ka intervsituar Edi Ramën në 2013 pa u bërë kryeministër, do t’i jap dhjetë emra dhe dua nga një fjalë prej tij për secilin:

Edi Rama: Manipulues

Sali Berisha: Shkatërrues

Ilir Meta: Viktimë e besimit dhe vetbesimit

Lulzim Basha: Qesharak

Erion Veliaj: Mashtrues

Dash Shehi: Proverbial

Arben Ahmetaj: Kreu i grupit të tretë armiqësor në parti

Belinda Balluku: Përjashtim nga rregulli “historia përsëritet”, deri tani nuk ka dalë grup armiqësor si gjyshi i saj

Arlind Qorri: I pastër

Agron Shehaj: I besueshëm

Si në fakt i duket Arizajt si një gazetar i lidhur me ngjarjet politike prej kaq vitesh evolucioni i saj në vend. “Mua më duket se ka regres. Ka pasur një PS përshembull ku diskutohej, debatohej, ideoej, sot ka një PS ku diskutohet vetëm grabitja, paraja, konçensioni, dhe këto jo për të mirë të njerëzve të kuptohemi, për të mirë të atyre që janë në poste. Nuk ka zë tjetër përveç Ramës, po edhe Ramës sikur i ka rënë shkëlqimi, por nuk bie në sy, se në anën tjetër kemi një PD të ndryshkur fare. Imagjino Berisha erdhi në krye të PD kur perdorej ende telefoni me central, sot jemi në epokën e Iphon 16 dhe Berisha është akoma kryetar i PD dhe thotë madje s’ka tjetër kandidat PD përveç meje kryeministër. Çfarë të thuash për politikën shqiptare”, thotë ai me trishtim. E në fakt ai priste diçka prej saj: “Unë do desha që Shqipëria të ishte e fortë, të bëhej e fortë në këto vite, të mos kishte frikë e këta politikanët të bënin gjithçka që Shqipëria të bëhej normale, pra së bashku me Kosovën, e të ishim aq dinjitozë sa të mos tallej kush me shqiptarët nëpër kufij, e të ishim të begatë sa të mos na përbuztë njeri nëpër Evropë. Arritjet e emigrantëve tanë, kanë ardhur pas shumë vuajtjesh, fyerjesh, gjaku, përbuzje e racizmi. Nuk janë ndihmuar kurrë nga shteti i tyre. Ata janë pjesë e integruar në shoqëritë ku jetojnë sot, por ende ndihen si të huaj nga vendi i tyre. Politika u ka shumë borxhe jo vetëm shqiptarëve në Shqipëri, por edhe atyre jashtë, edhe atyre në Kosovë, edhe atyre që kanë vdekur. Kështu e mendoj unë të paktën”. I bëj një pyetje rrufe: Ke përfituar ndonjëherë nga politika. Ai qesh dhe më thotë “asnjëherë…dhe nuk jam pishman”. Po nga gazetaria: “Nëse do përfitoja nga politika, do ishte për shkak të gazetarisë”, thotë ai. Por a ka ndonjë mendim për gazetarët e pasur? “Ne jemi brenda kohës që mund të jesh, gazetar dhe biznesmen; analist dhe botues; gazetar investigativ dhe gjykatës; i talentuar dhe gjobvënës…nuk ka rend, nuk ka rregullsi, nuk ka norma, nuk ka vetpërmbajtje, nuk ka etikë, nuk ka moral, nuk ka talent, nuk ka kënaqësi, në përgjjthësi e kam fjalën. Pra ne nuk mund të flasim për gazetari në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pra roja dhe rrëfyesi i të vërtetës. Informacioni është kthyer në treg, profesioni në pazar, dhe qëllimi i medias në arritje marrëveshjeje. Si mund të flasim për gazetarë, të pasur apo jo? Nuk mund të flasim për gazetarë. Gazetari është një shërbyes publik. Por nga ana tjetër kush mund të guxojë t’i kërkojë një gazetari që ai të mos pretendojë pagesë të lartë për punën e tij? Oh është një diskutim kaq i gjatë, i lodhshëm dhe i padobishëm në vendin tonë”, më thotë pothuaj i dorëzuar.

Në fund

E di që ishte një bisedë e gjatë, por më tërhoqi. Dua t’i marr Mond Arizajt siç i thërret shumica që e njeh, dhe që ka punuar me të, edhe disa mendime të fundit:

Çfarë mendon për intervistën tonë: E gjatë, nuk do ta lexojë njeri (qesh).

Çfarë mendon për gazetarinë shqiptare: Do kalojë shumë kohë derisa të gjejë rrugën e duhur drejt publikut.

Çfarë mendon për elitën shqiptare: Kë?!?!

Çfarë mendon për biznesin shqiptar: Një pjesë ndërton e një pjesë shkatërron.

Çfarë mendon për politikën shqiptare: Ata dalin prej nesh, prej popullit, janë pjesë e ndërgjegjes sonë. Kur ne shoqëria, të mos jemi më zhvatës, hileqarë, përfitues, zullumqarë, servilë, e halldupë, patjetër do nisim të kemi edhe politikanë të sojmë e vërtetë mendimtarë.

Çfarë mendon se i duhet vendit tonë: Arsim, Arsim, Arsim. Madje jemi shumë të vonuar.

Ka dhe shumë për të shkruar nga biseda me Arizajn. Por sigurisht që siç e tha dhe vetë, nuk do kishim më të bënim me një shkrim, por me një novelë. Megjithatë ai ishte komod në bisedë, nuk e di pse i thonë “i vështirë”. Por ndoshta sepse kjo nuk ishte një bisedë pune. /Nga Daniel Muçaku/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?