Bisedime për një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit me ndërmjetësues nga Egjipti dhe Katari 

Negociatorët do të rifillojnë të dielën bisedimet në Kajro për të arritur një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gazë. Ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari presin të marrin një përgjigje nga Hamasi, ndërsa një zyrtar amerikan tha se “Izraeli pak a shumë e ka pranuar kornizën e marrëveshjes”.

Arritja e një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe grupit militant Hamas, në Gazë duke më afër se kurrë. “Izraeli pak a shumë e ka pranuar kornizën e marëveshjes”, tha të shtunën një zyrtar i lartë amerikan.

“Tani për tani, topi është në fushën e Hamasit dhe ne po vazhdojmë të punojmë për të arritur këtë marrëveshje sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha zyrtari për agjencinë e lajmeve Reuters.

Marrëveshja, e propozuar, përfshin 6 javë armëpushim dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi, të cilët konsiderohen si të rrezikuar, duke përfshinë të sëmurët, të moshuarit, të plagosurit dhe gratë, tha një zyrtar i administratës amerikane. Marrëveshja do lejonte hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Gazë.

Agjencia “France Presse” njoftoi të dielën se një zyrtar i lartë i Hamasit kishte thënë se një armëpushim mund të jetë i mundur brenda 24 deri në 48 orë, nëse Izraeli pranon kërkesat e Hamasit. Sipas tij, kërkesat përfshijnë kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore dhe rritjen e ndihmës humanitare.

Një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Kajro, për bisedimet, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

“Nëse Izraeli pranon kërkesat tona, të cilat përfshijnë kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore dhe rritjen e ndihmës humanitare, kjo do të hapte rrugën për një marrëveshje armëpushimi brenda 24 deri në 48 orëve të ardhshme,” citohet të ketë thënë zyrtari i grupit militant.

Ndërmjetësuesit duan që marrëveshja të arrihet përpara se të nisë muaji i shenjtë i Ramazanit, më 10 mars.

Ndërkohë nënpresidentja amerikane Kamala Harris do të takohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me anëtarin e kabinetit të luftës së Izraelit, Benny Gantz.

“Nënpresidentja do të shprehë shqetësimin e saj për sigurinë e rreth 1.5 milionë njerëzve në Rafah” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa theksoi se Izraeli ka “të drejtën për të mbrojtur veten përballë kërcënimeve të vazhdueshme terroriste të Hamasit”.

Në një deklaratë, zoti Gantz konfirmoi se ai do të takohej me zonjën Harris, si dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan dhe anëtarët republikanë dhe demokratë të Kongresit.

Në një tjetër zhvillim ushtria amerikane hodhi ushqim dhe ndihma mbi Gazë të shtunën, raundi i parë i ndihmës humanitare emergjente të autorizuar nga presidenti Joe Biden.

Palestinezët postuan video në mediat sociale që tregonin se kutitë e ndihmave po hidheshin nga avionët e ushtrisë amerikane.

“Ne kemi vendkalime tokësore, është më mirë të dërgojmë ndihma përmes vendkalimeve se sa t’i hedhin me avion me parashutë. Këto ndihma nuk mjaftojnë për një familje, kjo nuk është asgjë. Egjipti duhet të hapë vendkalimin e tij dhe t’i lejojë kamionët të hyjnë normalisht”, thotë një banor i Gazës.

“Shtetet e Bashkuara janë pjesë e këtij krimi kundër Gazës. Sot Amerika po përpiqet të blejë heshtje tonë duke na dërguar ndihma. Është më mirë për ne të jetojmë në luftë sesa të marrim ndihmë nga Amerika”, thotë një tjetër banor i Gazës.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se ndihmat nga ajri e do të jenë një përpjekje për të ndihmuar banorët dhe se Izraeli është mbështetës i operacionit.

Ushtria e Jordanisë dhe Egjiptit gjithashtu kanë kryer fluturime të ngjashme.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se numri i të vdekurve palestinezë nga lufta ka arritur në 30 410, ndërsa rreth 72 mijë të tjerë janë plagosur. Po ashtu gati tre të katërtat e popullsisë prej 2.3 milionë e Gazës është zhvendosur.

Konflikti filloi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi, një organizatë e përcaktuar terroriste nga Uashingtoni, sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 240 pengje. Izraeli u përgjigj me një sulm ajror dhe tokësor në Rripin e Gazës.

“Zëri i Amerikës”

 

 

SHKARKO APP