“Biznese, bëhuni gati t’i riktheheni aktivitetit!” Cilat lejohen e cilat jo! Nga e hëna lehtësohen masat por shkeljet të çojnë në arrest
Lehtësim për lëvizjen por ashpërsim të masave ndëshkimore për shkelësit, përfshirë arrestimin e tyre. Kjo paralajmërohet për javën e ardhshme, ku qeveria do të miratojë vendimet përkatëse ku do të zgjatet orari i lejueshëm për ofrimin e shërbimeve për bankat dhe njësitë tregtare që nuk janë pjesë e qendrave tregtare apo që nuk bëjnë grumbullime masive njerëzish. Lokalet, restorantet apo palestrat do të vijojë të mbeten të mbyllura.
Ndërkohë, do të ketë një lehtësim për lëvizjen me automjete personale.
Kryeministri u kërkoi bizneseve që do të lejohen që të fillojnë të bëhen gati për t’iu përshtatur standarteve të sigurisë në ofrimin e shërbimeve, çka do të thotë se do të duhet të pajisin punonjësit me maska, doreza e dezinfektante dhe këta të fundit nuk do të duhet të lejojnë grumbullime masive në biznes por ruajtjen e distancës së sigurisë.
Kjo nuk do të thotë se Shqipëria e ka mundur virusin ndaj kërkohet zbatimi i rregullave në mënyrë strikte pasi shifrat vijojnë të mbeten problematike dhe askush nuk mund të thotë se kur mund të jetë piku. Kryeministri solli si shembull rritjen e ditëve të fundit të shifrave të të prekurve në Shqipëri ku për shkak të mosrespektimit të rregullave të distancimit social u infektuan në Shkodër një familje. Ndaj, lehtësimi i masave nuk duhet të merret si një sinjal se Shqipëria e ka kaluar epideminë.