Bizneset kundër paketës fiskale, kërkojnë ulje të taksave: Kemi rritje kostosh, s’na ndihmon me krizën
Dhoma e Tregtisë së Tiranës (DHTT), Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Ndërtuesve, Qendra e Eksporteve, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës kundërshtuan paketën e re fiskale të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Paketa fiskale 2023, për 7 shoqata të bizneseve, rrit edhe më shumë kostot e rënduara të prodhuesve dhe rrezikon falimentimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
Në këtë periudhë krize, kur kostot janë rritur mbi 50% nga shtrenjtimit e lëndëve të para, bizneset kërkojnë t’u ulen taksat, të zbatohet amnistia fiskale, por me kushtin që do të garantojë formalizimin e ekonomisë dhe të kreditohen me fond garancie me interesa 1%. Paketa fiskale 2023, e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka rikthyer, edhe një herë, debatin për uljen e taksave për bizneset, me qëllim që të përballohen efektet e krizës globale të rritjes së çmimeve.
Kryetari i DHTT, Nikolin Jaka, nënvizoi se ndryshimet fiskale për rritjen e gjobave, ndryshimet për unifikimin e akcizës te birra dhe pijet alkoolike vijnë në një kohë kur prodhuesit po përballen me rritje të kostove që shkojnë mbi 50%.
Sipas tij, masat e reja fiskale thellojnë rëndimin e situatës ekonomike në Shqipëri dhe rrezikojnë falimentimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, të cilat ende vuajnë pasojat e tërmetit të 2019-s dhe pandemisë.
Shoqatat e biznesit, në këtë situatë krize që po kalon vendi, si rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pasojave negative që po krijohen nga rritja e çmimeve në tregun global, rekomanduan të ndërmerret një paketë e strukturuar e mbështetjes financiare, për të përballuar rritjet e kostove të prodhimit dhe për t’i dhënë sipërmarrjes frymëmarrje dhe mbështetje financiare që është e domosdoshme për kthimin sa më parë në normalitet
Shoqatat e biznesit kërkojnë që, në këtë periudhë krize, kur prodhuesit janë të varur nga importi i lëndëve djegëse dhe të para ndihmëse, të ekspozuar dhe të pambrojtur nga koniunkturat e çmimeve në bursat ndërkombëtare, të ndërmerret ulja e taksave.
Ndër propozimet kryesore të tyre janë heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet që lidhen për investimet. Heqjen e akcizës së gazit që hyri në fuqi nga 1 korriku 2022. Për sipërmarrësit, niveli i akcizës 6 lekë për litër te gazi rrit kostot për shpenzime nga 10 deri në 20%.