Bizneset në Korçë kundërshtojnë masat anti-covid, njësitë hoteliere: Shteti të na financojë

Vendimi për një orar të ri policore (20:00-06:00) nuk është pritur mirë nga bizneset. Njësitë hoteliere në Korçë,  shprehen se ky vendim ka shkaktuar jo pak problem për shërbimet, baret dhe restorantet. Menaxherët e këtyre njësive shërbimi shprehen se për shkak të orarit të ri kufizues, xhiroja ditore është ulur ndjeshëm teksa bëjnë apel qeverisë për t’i financuar në këtë periudhë.

Masat e reja anti-covid dhe kufizimi i qarkullimit në orën 20:00 janë kundërshtuar nga bizneset në Korçë. Shërbimet e hoteleri turizmit po ashtu edhe baret, lokalet dhe restorantet janë bizneset që janë prekur më së shumti nga ky kufizim i ri.

Donald Çela, thotë se është ulur xhiroja dhe është bërë e vështirë pagimi i punonjësve. ”Xhiroja është shumë e pakët dhe nuk arrijmë të paguajmë dot të gjithë punëtorët. Stafi është shumë i madh e pagat janë të larta. Ky është një problem shumë i madh. Meqenëse është periudha e pandemisë dhe vetë shteti duhet të financojë që edhe punëtorët edhe punëmarrës edhe punëdhënës të jenë të kënaqur me mbylljen e orës 20:00”.

Këto thirrje janë përforcuar edhe nga shoqata e biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri. ”Ne jemi dakord për sa i përket masave që merr për shëndetin e njerëzve, por kjo duhet të ishte e alternuar me disa masa ekonomie për biznesin e vogël dhe të mesëm”, thotë Bujar Muço, nënkryetar i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri.

SHKARKO APP