Bizneset shqiptare preferojnë të huajt. Kryesojnë shtetasit turq, sektorët që “importojnë” në Shqipëri

Ndërsa papunësia vijon të mbetet fenomen shqetësues, bizneset që operojnë në vend,  çdo ditë e më shumë po orientohen drejt punësimit të shtetasve të huaj që kanë edhe specializimet e nevojshme.

Referuar të dhënave zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, për vitin 2018 rezultojnë 3911 shtetas të huaj të pajisur me leje pune apo vërtetime deklarimi për punësim, të cilët japin kontributin e tyre në ekonomi. Ajo që të bën përshtypje është se 79 % prej tyre janë punëmarrës nëpër kompani të ndryshme, 20 për qind të vetëpunësuar dhe vetëm 1 për qind, investitorë. Por cilat janë aktivitetet ekonomike që preferojnë më së shumti të punësojnë individë të huaj?

Sipas të dhënave,  pjesa më e madhe prej tyre, apo 17  për qind punojnë në sektorin e tregti me shumicë dhe pakicë; riparim mjetesh motorike dhe motoçikletash;  12 për qind në minierë dhe gurore, 11 për qind në industrinë përpunuese, 7 për qind në aktivitete shërbimesh; 6 për qind në aktivitete administrative dhe shërbimesh mbështetëse, si dhe informacion e komunikacion, ndërsa një përqindje më të vogël zënë sektorët e tjerë.

Sa i takon shtetësisë, pjesa më e madhe prej tyre janë turq, rreth 37 për qind, duke u ndjekur nga kanadezë, maqedonas, etj.  Lejet janë të përqendruar  më së shumti në Tiranë, Durrës dhe Fier. Numri i të huajve të punësuar në vend ka pësuar rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë. /SCAN

SHKARKO APP