Biznesi në vend, Shtjefni: Qeveria të konsultohet në terren dhe të mos rrisë kostot
Sipërmarrës Zef Shtjefni, thotë se biznesi në Shqipëri është në kushte jo të barabarta me tregun rajonal. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Shtjefni tha se nuk presin ndihmë nga qeveria pasi nuk kanë marrë as në kohën e pandemisë, por ajo që mund të bëjë shteti është të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike. Sipas Shtjefnit qeveria duhet të konsultohet me bizneset vazhdimisht, pasi ky veprim do të shmangte shumë gabime.
”Ne po na mbërrijnë në Shqipëri 8 milionë turistë, Shqipëria po na zbraset. Po na ikën fuqia punëtore se tregu është hapur. Jemi në siklet se nuk e dimë sa do të jetë kjo pagë që do të rritet, jemi duke parë sa mund të jetë ky nivel që t’i ndalojë njerëzit që të ikin. Produkti ynë shitet më 3 herë më lirë se jashtë. Nuk është vetëm kostoja e pagave. Ne na ka goditur shumë energjia. Vendet fqinje nuk e kanë rritur çmimin e energjisë e kanë mbrojtur prodhimin vendas. Jemi në kushte disporpocionale me tregun e rajonit.
Nëse ka një fushë që e kritikoj qeverinë Rama është raporti që kjo qeveri ka me biznesin. E shohin si lopa që veç qumështit duan t’i marrin lëkurën dhe çdo gjë tjetër. Nuk ka konsultë masive me biznesin që është në terren. Mungesa e konsultës na çon tek futja e hundës në treg që bëhet problematikë. Mungesa e konsultës me punëdhënësit sa herë është e nevojshme do ta shpëtonte qeverinë nga çdo lloj gabimi.
Qeveria është për të marrë, na tha në pandemi që do na jepnin 150 milionë, qëndruam me këmbët tona s’pati asnjë ndihmë kurrë. Qeveria nuk është për të dhënë. Nuk presim gjë të madhe nga qeveria. Atë që ka në dorë është të mos na rrisë kostot më shumë se tregu rajonal për energjinë. Nuk jemi në kushte të barabarta me fqinjët. Pse duhet ta kemi energjinë më shtrenjtë, këtu mund të na ndihmonte qeveria. Qeveria të na nxjerrë në kushte të barabarta me rajonin”,-tha në ”MCN TV”.