Bjarke Ingels tërhiqet nga projekti i Teatrit Kombëtar
Projekti i Teatrit Kombëtar në Tiranë, prej disa muajsh ka nxitur debate mes aktorëve të Teatrit, politikanëve dhe shqiptarëve.
Firma ‘‘Bjarke Ingels’‘ e arkitektit danez me të njëjtin emër është tërhequr nga projekti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Tërheqjen e kanë konfirmuar për Exit.al burime të sigurta.
Në mars të vitit 2018, Rama publikoi projektin e hartuar nga Ingels për Teatrin e Ri Kombëtar. Realizimi i këtij projekti do të bëhej nga kompania Fusha shpk, nëpërmjet një ligji special. Ky i fundit u kritikua nga Bashkimi Europian, si shkleje e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Në faqen e internetit, firma Bjarke Ingels ende e ka të listuar si klient zyrtar të sajin, për projektin e teatrit kompaninë Fusha. Kjo e fundit ka përfituar shumë tendera të dyshimtë nga qeveria Rama.
Ingels ka refuzuar të zbulojë kushtet e kontratës së tij me kompaninë Fusha, qeverinë shqiptare duke e konsideruar atë një “marrëveshje konfidenciale”.
Teatri Kombëtar është një nga objektet e fundit të mbetura në Tiranë që nga periudha fashiste. Shembja e mundshme e tij nxiti protesta të shumta nga artistët dhe qytetarët.
Protestat nxorrën në pah edhe grabitjen e një pjese të tokës nga Fusha.
Ajo premtoi të ndërtonte një teatër të ri në këmbim të një sipërfaqeje të madhe toke publike, për të ndërtuar gjashtë kulla. Ky fakt dëmtoi rëndë edhe imazhin e vetëshpallur të Bjark Ingelsit, si një arkitekt kundër projekteve korruptive dhe që bien ndesh me të mirën publike.
Sipas burimeve thuhet se Ingels donte të përdorte materiale me cilësi të lartë në ndërtimin e teatrit të ri. Por kompania Fusha kërkonte materiale të lira dhe me cilësi të ulët, si një mënyrë për të ulur kostot. Dhe, si rezultat, Ingels braktisi projektin.
Mënyra se si jepen tenderat për projektet publike nga qeveria shqiptare e nxit dhe më tepër uljen e kostove nga ana e kompanive. Meqenëse çmimi është caktuar paraprakisht bazuar në kriteret e papërcaktuara qartë, kompania fituese priret të përdorë materiale me cilësi të ulët, me qëllim nxjerrjen e një fitimi sa më të lartë.
KOHA JONË SONDAZH

