Bledi Çuçi: Nuk e di se çfarë do bëhet me Reformën Zgjedhore

Me fillimin e sesionit të ri Parlamentar, opozita dhe maxhoranca po punojnë me axhenda të ndara, duke lënë pezull punën me reformën zgjedhore, një përgjegjësi e përbashkët e të dyja forcave politike. Kuvendi vazhdoi punimet vetëm me përfaqësues të maxhorancës, ndërsa opozita ka vendosur që këtë fillim shtatori është zhvendosur jashtë Tiranës.

Deri tani, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka pasur dakordësi nga të dyja palët politike, aq sa është menduar se po shkohet drejt një pakti PS-PD për të mos pasur ndryshime të Kodit Zgjedhor.

Ky komision ka qenë aktiv edhe gjatë pushimeve verore, pasi bashkëkryetarët kanë zhvilluar takime, ndërsa sezoni i ri politik i gjeti të ndarë. Mesa duket diçka nuk ka ecur në përputhje të plotë me interesat e të dyja krahëve politike, që e ka ‘detyruar’ bashkëkryetarin demokrat për reformën zgjedhore Oerd Bylykybashin, që të braktisë takimin me reporterët e Komitetit Monitorues të Këshillit të Evropës, ku është folur për zgjedhjet lokale në Shqipëri, e trajtuar si një shtyllat kryesore të aktualitetit politik.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërsa bashkëkryetari i PS-së z.Çuçi, endej oborrit të Parlamentit, tejet i zhgënjyer nga mungesa e ortakut të tij. Në një sqarim për gazetën “Shekulli”, Çuçi tha se është hera e parë që mungon kolegu i tij në takime kaq të rëndësishme, ku është folur për Reformën Zgjedhore, i cili nuk kishte po ashtu dijeni për axhendën e punëve të z.Bylykbashi, as të kolegëve demokratë për ‘fatin’ e punimeve të komisionit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kujtojmë, se pak ditë më parë kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e shtyu veprimtarinë e këtij komisioni edhe gjashtë muaj më vonë. ‘Është hera e parë që nuk kisha bashkëkryetarin në krah. Deri tani kemi pasur dakordësi të plotë me opozitën për Reformën Zgjedhore. Duhet të pyesni z.Bylykbashi, se çfarë do të bëjë në vazhdim me reformën, sepse nuk e di axhendën e opozitës. Drafti është çështje ekspertesh dhe po shkruhet”, tha Çuçi.

Në një sqarim për “Shekulli”-n, bashkëkryetari i PD-së z.Bylykybashi konfirmoi se ndodhet në Elbasan, përkrah opozitës në luftën kundër krimit. Ndërsa përsa i takon Komisionit të Reformës Zgjedhore, Bylykbashi tha se i ka vënë në dijeni raporterët e KiE, se është në Elbasan.

Kreu i Parlamentit Gramoz Ruçi zhvilloi një takim me raporterët e Komitetit Monitorues të Këshillit të Europës.  Ruçi dha sqarime para reporterëve për mungesën e opozitës në seancë, si dhe foli për dy shtyllat kryesore ku është përqendruar puna e Kuvendit. Ai tha, se Reforma Zgjedhore është prioritet i të gjitha forcave politike, si dhe bëri të ditur se komisioni do të mbarojë punë e nisur në fund të vitit. “Reforma zgjedhore është prioritet i të gjitha forcave politike. Për këtë, Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin me OSBE/ODIHR, duke synuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare. Komisioni i reformës pritet të përfundojë punën e tij deri në fund të këtij viti”. Po ashtu Reforma në Drejtësi është një tjetër pikë e rëndësishme ku janë përqendruar bisedimet politike, për të cilën Ruçi kërkoi bashkëpunim të opozitës. “Reforma në drejtësi është shtylla tjetër e rëndësishme. Kjo reformë duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, përfshirë opozitën. Deri tani kemi miratuar 17 nga 27 ligjet e paketës së reformës, 2 prej të cilave, pjesë e shtyllës së profesioneve të lira, u miratuan gjatë sesionit të kaluar. 48 seancat e deritanishme të vetingut konfirmuan 21 dhe nxorën nga sistemi 27 gjyqtarë e prokurorë”, tha Ruçi.

Bashkëpunimi i opozitës   

Në këtë mbledhje me reporterët e Komitetit Monitorues të KE, Ruçi evidentoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimi të opozitës për ligjet e drejtësisë. Ai tha se, “që të arrihet brenda këtij sesioni parlamentar ngritja e sistemit të drejtësisë, duhet të ketë konsensusin e opozitës”, të cilës i bën thirrje për bashkëpunim. “Opozita nuk ka arsye të kërkojë kthimin prapa të kësaj reforme, duke sulmuar organet e vetting-ut Reforma është krejtësisht jashtë ndikimit të qeverisë dhe të shumicës parlamentare dhe nën monitorimin e rreptë dhe të plotë të ONM. Unë nuk di asgjë, ndërsa ONM di gjithçka. Kjo është e rëndësishme sepse sëmundja kryesore e sistemit të drejtësisë ishte kapja nga politika. Qëllimi ynë është që brenda këtij sesioni të përfundojë ngritja e organeve qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Por për këtë kërkojmë edhe bashkëpunimin e opozitës. Ethet e pushtetit nuk duhet të na bëjnë të “sabotojmë” ndërtimin e shtetit”, theksoi ai.

Raporterët

Dje Kryetari i Kuvendit, Z.Gramoz Ruçi, u takua me raporterët e Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlametare të Këshillit të Evropës, Z. Andrej Hunko, përfaqësues i Bundestagut Gjerman, dhe Z. Joseph O’Reilly, senator i Dhomës së Lartë të Irlandës, të cilët ndodhen në Shqipëri për një vizitë faktmbledhëse për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë. Në takim mori pjesë edhe deputeti Ervin Bushati, kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Gjatë takimit u diskutua mbi zbatimin nga Shqipëria të standarteve të Këshillit të Europës, për zhvillimet e fundit politike, prioritetet e qeverisjes, ecurinë e zbatimit të reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?