Bledi Çuçi: Sportelet ishin kthyer në çerdhe korrupsioni, 21 shërbime të gjendjes civile do merren online
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka folur në Kuvend në lidhje me aktin normativ ,i cili bëri të mundur zgjatjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit për personat që u kishte skaduar afati i këtij dokumenti dhe nuk mund të votonin në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Çuçi vlerësoi punën e bërë nga qeveria për ti mundësuar 144 mijë qytetarëve të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar.
Ministri ka sqaruar më tej se Shërbimi i Gjendjes Civile është në një përmirësim të vazhdueshëm, referuar edhe faktit që në raportin e OSBE – ODHIR për zgjedhjet e 6 marsit, nuk kishte asnjë vërejtje për listën e votuesve apo problemet e lidhura me shërbimet e kryera nga ky institucion, ngjarje kljo që ishte e para në 30 vite.
“Shërbimi i Gjendjes Civile po përmirësohet drejtë standardeve më të mira. Edhe në raportin e fundit të OSBE-ODHIR, për herë të parë në 30 vite nuk ka asnjë vërejtje për listën e zgjedhësve. është diçka për të cilën duhet të jemi krenar sepse kemi ngritur nivelin e shërbimeve në standartet më të larta”, ka deklaruar ai.
Ministri Çuçi, theksoi gjithashtu se ndërprerja e kontaktit të drejtpërdrejtë të qytetarëve me sportelet e Gjendjes Civile, ka ndikuar në uljen e korrupsionit.
Mbani mend radhët e gjata në sportelet e Gjendjes Civile edhe për një certifikatë martese, lindje etj. Në shumë raste sportelet ishin kthyer në vatër korrupsioni të rëndomtë. Me modernizimin e shërbimit, 21 shërbime merren online direkt nga kompjuteri apo celulari. Shkëputja e kontaktit direkt me sportelin ka shkurtuar kohën për të marrë shërbimin dhe ka prerë rrugën e korrupsionit”, tha ai.