Blendi Fevziu: Nju Jork, kryeqyteti i ëndrrës amerikane

(Botuar me 17 Nëntor 1995 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu-

Më 22 prill 1625, kur përballë anijes që transportonte 280 kolonët e parë të dërguar nga korporata holandeze e Indive Perëndimore, u shfaqën brigjet e ishullit të Manhatanit, asnjëri prej tyre nuk duhet të ketë qenë optimist. Pamja e egër, larg zonave të banuara nga evropianët ngjalli nostalgjinë për qytetin e tyre të lindjes, Amsterdamin. Emrin e tij ata e kishin marrë me vete për të pagëzuar këtë tokë djerre aq larg fisnikërisë së tij. 280 të parët u vendosën në Jug të Ishullit, në vendin e quajtur sot Southferry dhe ndërtuan fortesat e para për t’u mbrojtur nga sulmet e vendasve, fisit indian të Algouquins. Por mbrojtja nuk ishte gjithmonë e sigurt. Për ta bërë atë të pathyeshme guvernatori i ri i qytetit Piter Minuit, vendosi të hyjë në tratativa për ta blerë Ishullin. Tratativat me sa duket qenë të suksesshme përderisa ai ja bleu atë indianëve, kundrejt shumës 60 gulden ose 24 dollarë të sotëm. Madje shuma nuk u pagua në të holla. Ajo qe vlefta e disa pasqyrave, rruazave, kristaleve dhe krehrave që prijësi indian i pranoi për gratë e tij, në shkëmbim të ishullit që do të bëhej brenda 200 vjetësh më i shtrenjti në botë. Ai nisi menjëherë ndërtimin e një qyteti që u pagëzua po atë vit me madhështi Nju-Amsterdam (Amsterdami i Ri). Qyteti fillestar shtrihej gjithmonë në jug të ishullit. Ai përfshinte zonën e sotme të Woll Street, South Seaford, fillimin e Broadway, World Trade Center, China, Town, Little Italy deri në Greenwich Village. Pikërisht atë që në shekullin XX do të konsiderohej kryeqyteti financiar i botës. Por Guvernatori që kishte qenë aq i suksesshëm në blerjen e ishullit dhe ndërtimin e Bergames që qytetit të ardhshëm nuk qe po kaq i suksesshëm në tregti. Korporata holandeze e indive perëndimore e humbi tregun indian të lëkurave të kafshëve dhe pak nga pak e mbylli tregtinë në atë vend. Ajo e këshilloi guvernatorin e ri Piter Stuyvesant ta braktiste qytetin. Guvernatori mesa duket u prek nga emigrantët holandezë që kishin ndërtuar aty fermat dhe vendosi të mos e braktisë qytetin. Ai jua ofroi atë anglezëve dhe këta e pranuan me bujari më 1664. Që nga kjo ditë, përveç flamurit, qyteti humbi edhe emrin holandez. Gjenerali që e mori atë në dorëzim, me origjinë nga Jorku, e quajti për nder të Dukës së tij, Nju Jork ( Jorku i Ri). Ai nuk e mësoi kurrë se padashje kishte pagëzuar një qytet emri i të cilit do të bënte shumë shpejt histori. Me flamurin anglez qyteti doli nga aventura e falimentimit. Ata llogaritën pozicionin e mrekullueshëm detar të Nju Jorkut si pika më e afërt e rrugës detare nga Evropa dhe e shndërruan atë në një port gjigant. Në shekullin e 18-të qyteti përpunonte pjesën më të madhe të mallrave që mbërrinin nga kontinenti i vjetër dhe shumicën e atyre që niseshin për atje. Mundësitë e mëdha e shndërruan Nju Jorkun si një ndër qytetet më të rëndësishme të Amerikës dhe tërhoqën emigrantë të shumtë. Brenda 150 vjetësh nga dita e themelimit qyteti ishte i ngjashëm me qytetet evropiane edhe pse mjaft inferior ndaj tyre. Më 1776, Xhorxh Uashingtoni e shpalli qytetin e pavarur, por u mund nga forcat angleze të dërguara kundër tij. Një vit më vonë ai do të rikthehej në Nju Jork me fitore dhe kjo fitore do të ishte baza e shtetit të ardhshëm amerikan. Pikërisht në pjesën e vjetër të qytetit, në një ndërtesë përballë oqeanit u firmos deklarata e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po aty, më 1789, Xh. Uashingtoni u betua si Presidenti i parë i tyre. Etapa e tretë e historisë së qytetit, ajo amerikane është plot lavdi. Qyteti u bë një ndër qendrat më të rëndësishme jo vetëm të kontinentit të ri por edhe në botë. Në mesin e shekullit të kaluar dolën milionerët e parë, u ndërtuan bankat e para gjigante dhe bashkë me to një nga çuditë më të mëdha të shekullit të ardhshëm, gradaçielat. Shpejt ato u bënë simboli i qytetit dhe pasaporta e tij. Popullsia e qytetit u rrit kryesisht me emigrantë dhe në fillim të shekullit u bë disa milionë. Më 1913, Fiorelo Laguardia, Guvernatori i Nju Jorkut deklaroi në një fjalim para banorëve se ata ishin tani banorë të qytetit më të fuqishëm në botë.
Nju Jorku dhe Manhatani
Njujorkezët e krahasojnë qytetin e tyre me një mollë gjigante. Simboli i mollës është i pranishëm kudo në Nju Jork. Ai është stampuar mbi soveniret, në muret e jashtme të shtëpive dhe tarracat e larta të gradaçielave. Molla njujorkeze përbëhet nga 5 ndarje administrative që mund të quhen lagje të mëdha e njëherazi qytete. Më në jug shtrihet Staten Island, përballë tij Manhatani, ndërsa në krah të këtij të fundit Brooklyn dhe Queens. Në veri të të tre lagjeve bashkë shtrihet lagja më famëkeqe e qytetit Bronx. Ndër të pesta më i rëndësishmi mbetet Manhatani. Aty janë pothuaj 80 për qind të qendrave administrative të qytetit, 53 për qind të qendrave administrative financiare dhe juridike të Amerikës dhe 32 për qind të botës. Ishulli i dikurshëm i indianëve, i sunduar nga gradaçielat, është lagja më e lartë në botë. Ky është impresioni i parë për këdo që mbërrin aty nga Brookly apo Queens me metro. Sapo treni hyn në tunelin që lidh këto lagje me Manhatanin dita e shkëlqyeshme merr fund. Në Manhatan ka fare pak dritë, ose më pak se në çdo qytet tjetër në botë. Komunikimi i Manhatanit me lagjet e tjera të qytetit dhe Nju Xhersi, në bregun e majtë të tij, bëhet mbi dhe nën tokë. 17 ura dhe 23 tunele të nëndheshme drejtojnë trafikun e përditshëm. Ishulli i cili normalisht numëron vetëm 3 milion banorë popullohet gjatë ditës nga 11 milionë. Në total popullsia e qytetit numërohej vitin e shkuar 18 milion. 350 vjet më pas qyteti e ruan ende strukturën ndërkombëtare të tij. Lagjet kryesore të Manhatanit janë konceptuar që në fund të shekullit të shkuar si minishtete, baza kryesore e popullatës së të cilëve qe gjithmonë nacionaliteti. Përveç irlandezëve një lob i fuqishëm i vendosur në Middle dhe Uptown, anglezëve të Grenwich Village, italianët u bënë në fund të shekullit të shkuar dhe në fillim të këtij shekulli lobi më i fuqishëm në qytet. Ata ndërtuan në rrugët e vjetra të qytetit lagjen e tyre, Little Italy dhe morën në dorë drejtimin administrativ të qytetit. Që nga fillimi i shekullit e deri dy vjet më parë, kur Guvernatori Mario Komo ja lëshoi vendin hungarezit Xhorxh Pataki, guvernatorët e qytetit kanë qenë vazhdimisht italianë. Në fillim të shekullit në qytet mbërriti edhe një tjetër komunitet i fuqishëm, ai zezak, ose afrikanëve të Amerikës, siç thirren rëndom. Popullsia me ngjyrë e shpërndarë në qytet u vendos kryesisht në Manhatan dhe mbas Luftës së Dytë rezervoi një lagje krejtësisht të sajën të quajtur Harlem. Komuniteti i fundit i fuqishëm u vendos në Manhatan midis dy luftërave. Ai i takonte kinezëve dhe shumë shpejt pushtoi një lagje të madhe, në jug të Little Italy, të quajtur China Town. Italianët, kinezët dhe armenët do të krijonin shpejt në qytet edhe mafiet më të famshme, rrjetet e të cilave kontrollojnë veprimtari të ndryshme në shumë shtete të botës. Krahas këtyre, një tjetër lob ka luajtur dhe luan rol të veçantë në shoqërinë amerikane. Lobi çifut, i fuqizuar veçanërisht në dy shekujt e fundit. Në serinë e miliarderëve dhe në perandorinë e financave amerikane, çifutët zënë që prej 100 vjetësh vendin kryesor. Ky lob ka influencuar ndër të tjera edhe politikën e SHBA dhe ka përcaktuar linjat e politikës së jashtme të saj.
Nju Jorku dhe shqiptarët
Shqiptarët e zbuluan kontinentin e ri kur nuk kishin ende një shtet të tyre. Sipas të dhënave të ekspozuara në muzeun Ellis Island shqiptarët e parë kanë mbërritur në Nju Jork në mesin e shekullit të kaluar. Ata kanë shfrytëzuar për këtë linjat greke, gjë që të bën të mendosh se, siç do të ndodhte rëndom më vonë, ata kanë qenë me origjinë nga Jugu. Por sipas të dhënave të tjera, shqiptari i parë ka mbërritur në SHBA në fund të viteve 1700. Ai ka bërë një udhëtim fantastik nga Roterdami ku gjendej s’dihet përse. Emri i tij është Mark dhe ka lindur në Shkodër. Marku gjeti atje disa italianë që ju prezantuan si shqiptarë (arbëreshë) dhe ngriti me një ortak klubin Kastrioti. Ekzistenca e klubit përmendet edhe në disa dëshmi të shqiptarëve që mbërritën në Nju Jork në fund të shekullit të kaluar. Që nga mbërritja e parë në SHBA ka pasur tre grupime shqiptarësh. Grupimi i parë qe ai i emigrantëve ekonomikë që u vendosën atje gjatë një periudhe thuajse 60-vjeçare nga viti 1880 deri më 1940. Thelbi i këtij emigracioni ishte ekonomik. Emigrantët e parë ekonomikë u vendosën kryesisht në bregun perëndimor, në qytetet me industri të zhvilluar. Ata qenë të parët që filluan organizimet nacionale. Në Nju Jork lëvizja patriotike nuk qe veçanërisht e zhvilluar. Përkundrazi, jeta e shqiptarëve në qytet ndryshoi në etapën e dytë, 1944-1990. Në këtë kohë u vendosën atje emigrantët politikë të luftës dhe ata që arratiseshin çdo vit nga Shqipëria. Emigrantët e rinj nuk patën kontakte me ata të vjetrit dhe dy grupet dalloheshin prej njëri tjetrit nga qëndrimi ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Midis të dy grupeve u vendos pas viteve 70 edhe një grup i ri shqiptarësh të ardhur nga Jugosllavia. Dallimi midis dy grupeve u theksua më tepër më 1990, kur Presidenti Komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia vizitoi qytetin. Emigrantët e vjetër dhe kosovarët organizuan pritjen e tij, ndërsa grupimi i emigrantëve politikë organizoi demonstrime të fuqishme kundër. Pas vitit 1990, në Nju Jork mbërritën emigrantët e etapës së tretë, ata të ikur pas hapjes së Europës Lindore. Emigrantët e rinj u vendosën midis dy grupeve të vjetra pa arritur të vendosin marrëdhënie të mira me asnjërin prej tyre. Grupi i vjetër ishte shumë i moshuar për të kuptuar aventurën e largimit të tyre, ndërsa grupi politik, shumë ekstremist për të kuptuar përse ata ishin larguar nga Atdheu, pa luftuar udhëheqësit komunistë. Emigrantët e tretë u vendosën kryesisht në Bronx dhe Brooklyn, duke sjellë me vete edhe mallin për qytetet e tyre. Shembulli më i mirë për këtë është një prej oxhakëve më të lartë në Brooklyn, mbi majën e të cilit është shkruar me shkronja të mëdha dhe të dukshme: TIRONA. Akoma më tepër, targa e makinave të tyre, shumica e të cilëve mbajnë emra qytetesh shqiptare ose emrat e prindërve në Atdhe. Ndryshe nga lobet e tjera, lobi shqiptar është inferior në impenjimet intelektuale dhe politike. Në historinë 150-vjeçare të mërgatës shqiptare në SHBA nuk ka asnjë kongresmen me origjinë shqiptare, asnjë guvernator të tillë, ose asnjë personazh politik më pak të rëndësishëm. Shqiptarët nuk kanë nxjerrë as figura të mëdha intelektuale. Përveç Xhon dhe Xhejms Belushi, Sten Dragotit, Bill Kovaçit dhe ndonjë përjashtimi tjetër, figurat e njohura të mërgatës shqiptare janë kryesisht pronarë restorantesh luksoze dhe picerish. Grupimet e vjetra dhe shoqatat nuk luajnë më prej kohësh rolin e parë. Ato kanë mbetur më shumë relike të së shkuarës së lavdishme, apo kohës kur VATRA nxirrte tre deputetë në Shqipëri. 5 vjet pas hapjes së Shqipërisë ëndrra e mrekullisë së diasporës duket se nuk ekziston më. Por sidoqoftë ëndrra amerikane mbetet po ajo. Që kur 200 vjet më parë, shkodrani i quajtur Mark, la portin e Roterdamit dhe njëherazi kontinentin plak në këmbim të botës së re, ëndrra e tij aventurore ka njohur një sukses të veçantë. Mijëra shqiptarë e kanë imituar pa dashur, duke besuar tek mrekullia amerikane. Mrekullia që mundi të shndërrojë një ishull të shkretë në brigjet e oqeanit, brenda 300 vjetësh në qytetin më të rëndësishëm në botë. Apo që mundi të shndërronte fermat prej druri të 280 kolonëve holandeze në pallatet më të larta të botës. Shumica kanë ikur pikërisht kështu, të bindur se vetëm një gjë nuk ka ndryshuar ende në botë, magjia e Nju Jorkut dhe ëndrra amerikane për t’u gdhirë një mëngjes milioner.
Blendi Fevziu

SHKARKO APP