Blendi Fevziu për vrasjen e Mimoza Pajës: Nuk e hiqja dot nga mendja imazhin e kësaj gruaje të vuajtur

Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Tiranë, ku nga breshëria e plumbave drejt një lokali humbi jetën Mimoza Paja.

Fevziu thotë mes të tjerash se, ajo që e bën edhe më të rëndë këtë sulm kriminal është humbja e një jete të pafajshme si Mimoza Paja, para syve të mbesës së saj të vogël, të cilën sot e ka lënë vetëm.

”Një konflikti banditësh e kriminelësh që nuk e mbajnë dorën as ndaj një fëmije 10 vjeçare. Iku duke lënë në këtë botë kujtimin e një gruaje që nuk pa një ditë të bardhë dhe një mbese që sot ka mbetur edhe më e vetme në këtë botë kaq të padrejtë. U prehsh në paqe Mimoza Paja”,-shkruan Fevziu.

Postimi i plotë

Nuk e hiqja dot nga mendja imazhin e kësaj gruaje të vuajtur gjatë ditës sot. Mendoja se si priste të mbaronte turnin, me mbesën ulur pranë. Mbesën që nuk kishte ku ta linte, ndaj e mbante pranë vetes, duke bërë edhe detyrat e shkollës aty. Priste të mblidhej bashkë me të dhe të ishin pak momente të qeta.

Jeta nuk ishte treguar bujare me asnjërën prej tyre. Gjyshja e mbetur jetime dhe mbesa me prindër të divorcuar, i kishin lidhur fatet bashkë. Në varfërinë, por edhe në përpjekjen për të mbijetuar. Mimoza Paja kishte punuar gjithë jetën, e mbetur jetime që në fëmijëri. Mbesa e saj 10 vjeçe mbeti vetëm kur prindërit u divorcuan.

Ajo rrinte aty, pranë gjyshes, duke e ndihmuar nga pak e duke u perpjekur tja reduktonte lodhjen e ditës. Gjyshja kishte pak ditë që kishte gjetur punë dhe ato me siguri kanë qenë të gezuara për këtë. Por fati që i lidhi bashkë edhe i ndau dje në mbrëmje.

Gjyshja po punonte dhe vajza e vogël ishte ulur aty pranë kur një grup kriminelësh derdhi ndaj lokalit breshëritë e frikshme te kallashnikovit. Gjyshja vdiq në vend; mbesa u plagos. Gruaja qe e vetmja viktimë e një konflikti, që as e dinte, as e njihte dhe që as do ta marrë vesh kurrë.

Një konflikti banditësh e kriminelësh që nuk e mbajnë dorën as ndaj një fëmije 10 vjeçare. Iku duke lënë në këtë botë kujtimin e një gruaje që nuk pa një ditë të bardhë dhe një mbese që sot ka mbetur edhe më e vetme në këtë botë kaq të padrejtë. U prehsh në paqe Mimoza Paja.

SHKARKO APP