Historia e KJ/Blendi Fevziu: Si e njoha Nikoll Lesin!

(Botuar me 5 maj 2006)

Blendi Fevziu: “Koha Jonë”, universiteti i gazetarisë së 15 viteve pluralizëm

Për gazetarin e njohur Blendi Fevziu, gazeta “KJ” ishte novatore në shumë drejtime. Ajo solli në median shqiptare modele që ia vlen të ndiqen. Sipas tij, asnjë organ shtypi nuk do ta ketë më kurrë ndikimin që pati “KJ”

Në gazetën “Koha Jonë” u hodhën hapat e parë të një gazetarie reale, të vërtetë. Një gazetari ku ndërthurej lajmi me komentin, investigimi me shpejtësinë e publikimit të lajmit. I këtij mendimi shprehet gazetari i njohur Blendi Fevziu lidhur me rëndësinë që pati vërtet në këto 15 vite pluralizëm gazeta “Koha Jonë”. “15 vjet më pas, shumë vetë mund të na kritikojnë, mund të mos jenë dakord me ato që ne themi, apo shkruajmë, por të gjithë gazetarët e rinj, kanë modele për të ndjekur. “Koha Jonë” ishte novatore edhe në këtë drejtim” thotë Fevziu. Duke shtuar edhe se një nga arsyet e këtij suksesi të “KJ” ka qenë ekipi që punoi pranë saj. “Kam përshtypjen se suksesi i gazetës ishte fryma apo filozofia që përcillte një grup që u mblodh rreth saj që në fillim. Nëse do të renditen edhe një herë emrat e gjithë atyre që kanë drejtuar apo kanë punuar në “Koha Jonë” në këto 15 vite, do të ishte një listë mbresëlënëse” pohon përfaqësuesi i njohur i medias shqiptare.

Më 11 maj, gazeta “Koha Jonë” mbush 15 vjet. Çfarë përfaqëson për Ju kjo gazetë?

“Koha Jonë” është një epokë mjaft e rëndësishme e shtypit shqiptar. Ajo ka së paku tre merita të mëdha të cilat jo gjithnjë i nënvizohen të gjitha bashkë, ose që në të shumtën e rasteve i reduktohen në atë më mbresëlënësen, domethënë, betejën për shtypin e lirë. Por kjo ka qenë njëra anë, padyshim edhe ajo më kryesorja.

E dyta, “Koha Jonë” ishte në fillim të viteve ’90, pas privatizimit të saj, shembulli më i mirë i suksesit të sipërmarrjes private dhe avantazheve që vinin prej kësaj. Kur ajo hyri në treg në vitin 1991, pothuajse të gjitha gazetat ishin partiake ose përfaqësuese të organizmave të caktuara. Ideja e një gazete private dukej e pamundur, gati-gati ireale dhe qesharake.

Nikoll Lesi dhe Aleksandër Frangaj ishin të parët që e kuptuan, qoftë edhe pa një analizë të thellë apo me intuitë, avantazhin e tregut. Ata ngritën një gazetë që në radhë të parë ishte një kompani private model. Një kompani novatore në të gjitha drejtimet, madje edhe në ato më qesharaket në dukje. Ajo duhet parë si një gazetë e suksesshme, po aq sa edhe një sipërmarrje e suksesshme në ato kohë kur sipërmarrja private ishte ende foshnjarake dhe mosbesimi ndaj saj mjaft i madh. Në thelb, metodat që ajo përdorte synonin qenien gjithnjë në krye dhe mbi të gjitha konkurrentët. Në janar 1994, kur “KJ” kaloi tirazhin e “ZP”, duke u bërë e përditshmja më e madhe në vend, njerëzit filluan ta kuptojnë se ajo ishte edhe një fitore e një filozofie të caktuar. Sot, kjo duket e zakonshme sepse gjithë mediat janë private dhe funksionojnë sipas një modeli, por atëherë “KJ” ishte novatore dhe pararendëse e shtypit që ne gëzojmë sot.

E treta, nuk duhet harruar se “Koha Jonë” u shndërrua në atë kohë edhe në një shkollë gazetarie dhe profesionalizmi. Më 1991, kur unë fillova së pari të jem pjesë e gazetarisë aktive, shumë pak gjëra dinim për të. Unë po bëhesha gazetar pa lexuar pothuajse asgjë nga “ZP”, “Bashkimi” apo organe të tjera që më dukeshin tejet mediokre; ne nuk kishim një model dhe ai që ofroi “RD” e parë, me komentet e Zogajt, Çupit, apo Kekos ishte befasues, mbresëlënës, por shumë pak. Në “Koha Jonë” u hodhën hapat e parë të një gazetarie reale, të vërtetë, një gazetarie ku ndërthurej lajmi me komentin, investigimi me shpejtësinë e publikimit të lajmit. 15 vjet më pas, shumë vetë mund të na kritikojnë, mund të mos jenë dakord me ato që ne themi, apo shkruajmë, por të gjithë gazetarët e rinj, kanë modele për të ndjekur. “Koha Jonë” ishte novatore edhe në këtë drejtim.

A mendoni se historia e gazetës e këtyre 15 viteve është edhe historia e pluralizmit për 15 vite?

Padyshim. Unë do të doja ta ndaja diçka më ndryshe. Historia e “Koha Jonë” ka qenë historia e pluralizmit shqiptar që nga viti 1991 e deri në vitin 1999. Dalja e TV dhe më pas e shumë të përditshmeve të tjera dhe theu disi monopolin e saj. Por kjo ishte diçka e pritshme dhe normale në demokraci e në kushtet e një konkurrence të tipit tjetër. Unë kam bindjen se mediat këto vite kanë pasur një rritje, shkëlqim dhe rënie thuajse ciklike dhe “KJ” ishte cikli i parë i saj. Gazetës “Koha Jonë” i ra fati të përballej me një mentalitet politik që nuk ndihej shumë mirë nga kritikat e shtypit dhe që përballej haptazi me të. Ajo fitoi një seri betejash, aspak të lehta shpesh herë të lodhshme dhe me kosto, por që kishin me vete të drejtën. Ajo e pranoi sfidën ballazi dhe në këtë përballje që bota e kish te zhvilluar disa dhjetëvjeçarë më parë, doli përfundimisht fituese. Ajo hodhi tej me shpërfillje gjyqet, arrogancën e pushtetit, të administratës, dhunën e bashkë me betejën tjetër paralele, atë për një shtyp profesionist, ndërtoi një model. Një model padyshim suksesi. Por ka një problem që më duhet ta nënvizoj: Në vitet 1992-1997, “Koha Jonë” pati një përballje frontale me pushtetin. Ai nuk e pranoi sfidën e “KJ” (ku shpesh herë edhe abuzohej me lirinë e shtypit), u hodh në sulm kundër saj, por në asnjë rast nuk tentoi ta blinte, ta joshte apo ta bënte për vete. Pushteti i qëndroi përballë, me gjithë mjetet e tij dhe “Koha Jonë” iu përgjigj po përballë, me bindjen e saj se liria e shtypit është e paprekshme dhe një vlerë e patjetërsuar. Dhe doli fituese në këtë betejë. Fatkeqësisht, as “Koha Jonë” dhe as pjesa tjetër e shtypit nuk i qëndroi dot një tjetër lloj beteje me pushtetin, atij me joshjen, afrimin, krijimin e lehtësive dhe prioriteteve që erdhi në modë në fund të vitit 2000. Kjo e çoroditi gazetën ose gazetat, krijoi mjaft probleme për gazetarët dhe shumë prej tyre ranë në kurthin e një statusi që gazetari nuk e ka askund në botë. Gazetat morën një rol tjetër dhe pothuajse gjithë biznesmenët e Shqipërisë u përfshinë në gazetari duke tentuar shantazhimin apo afërsinë me politikën. Kjo situatë prodhoi krizën ku jemi sot dhe nga e cila vijon të lëngojë edhe “Koha Jonë”.

Cili ka qenë kontakti juaj i parë personal me gazetën “Koha Jonë”?

E kam ndeshur për herë të parë në verën e vitit 1989, kur në vitin e dytë të fakultetit, ishim për një aksion në Rrilë të Lezhës. Në atë kohë, gazeta me një pamje shumë më ndryshe, ishte organ i KP-së të rrethit Lezhë dhe një gazetar i saj, erdhi për të bërë një reportazh për aksionistët nga Tirana. Besoj se e ruaj ende atë kopje. Ajo na përmendte si gazetarë, poetë ose shkrimtarë të ardhshëm, Ben Blushin, Andi Bushatin, Andi Bejtjen dy djem të tjerë dhe një vajzë që tashmë janë emigrantë dhe mua. Ishte korrik i vitit 1989 dhe ai gazetar nuk kishte si ta dinte se po përmendte emrat e disa prej gazetarëve apo kryèredaktorëve që do t’i jepnin mjaft emër gazetës “Koha Jonë”. Hera e dytë ka ndodhur dy vjet më pas, në korrik të vitit 1991 në zyrën e Preç Zogajt që ishte ministër i Kulturës në qeverinë e stabilitetit. Preçi më tregoi një kopje të gazetës “Koha Jonë” të re, tashmë të privatizuar nga Lesi dhe më sqaroi se kishte botuar një intervistë aty. Dy javë më pas, Frrok Çupi botoi një intervistë në të cilën për herë të parë sulmonte Sali Berishën, në atë kohë lideri i padiskutueshëm i PD-së për mungesë të vizionit demokratik.

Pas tij, edhe Lesi shkroi një shkrim në të cilin sqaronte se kishte dëgjuar Berishën duke bërë prova për një miting. Ishte një shkrim tipik i Nikollës, ku nuk e kupton se ku mbaron realja e ku fillon fantazia, por që pati mjaft sukses. Pak nga pak, “Koha Jonë” po pozicionohej si një pol “anti-Berishë” dhe për këtë kishte shumë më tepër kredibilitet se sa organet e tjera të vjetruara. Në mes të vitit 1992, ajo ishte bërë një gazetë që përcillte mendimin disident brenda PD-së dhe kjo i dha asaj sharmin dhe imazhin e një gazete ndryshe.

Përballja juaj me “Koha Jonë” e ardhur në Tiranë, kur ka qenë?

E mbaj mend, duhet të ketë qenë vjeshta e 1991, ndoshta tetor. Duke dalë nga zyra e ministrit Zogaj, u ndesha me Nikoll Lesin të cilin nuk e njihja se kush ishte. Ai m’u prezantua vetë, më bëri një kompliment me nja dy fjalë anglisht për shkrimet e mia në RD, më njoftoi se kishte ardhur të më porosiste një shkrim dhe pa arritur që të thosha “Po” ose “Jo”, nxori nga xhepi 3000 lekë, që ishte në atë kohë rroga tre-mujore e imja si drejtor në ministri dhe më tha: “Ne i paguajmë honorarët para shkrimit!” Dhe iku. Ky ishte dhe është Nikoll Lesi!

Mund të na tregoni ndonjë ngjarje që ju ka mbetur në mendje nga puna apo bashkëpunimi me “Koha Jonë”?

Janë pafund. Komuniteti gazetaresk i mbledhur rreth “Koha Jonë” ka bërë epokë dhe është e vështirë që të tregosh vetëm një detaj. Nuk dua të merrem as me momente që në gjuhën e përditshme quhen “qyfyre” sepse “Koha Jonë” është e mbushur plot me to. Unë e mbaj mend gazetën në disa kohë. Në atë kur ajo ishte ende në Lezhë dhe thjeshtë shpërndahej në Tiranë. Kur u vendos në kryeqytet, në një shtëpi gjysmë ilegale pas Kodrës së Kuqe, përballë shtëpisë së Apollon Baçes dhe në dy kohët e arta të saj, kur kishte një seli pranë Restorant Durrësit dhe më vonë pranë Shkollës së Kuqe. E kam njohur gazetën gjatë gjithë kohës së saj, edhe në shkëlqimin nën drejtimin e Frangajt apo Blushit, edhe në momentet e krizës së mëpasme. Kam përshtypjen se suksesi i gazetës ishte fryma apo filozofia që përcillte një grup që u mblodh rreth saj që në fillim.

Veç Lesit e Frangajt, këtu numërohen Shkullaku, Blushi, Bushati, Bejtja e pse jo edhe Kaba. Ishin të gjithë shokë, me një filozofi të ngjashme dhe sfidantë. Ishin të gjithë 22-23-vjeçarë të cilëve fati u kishte vënë mbi supe të ngrinin shtypin e lirë në Shqipëri. Ata arritën ta bëjnë, por kur u larguan prej saj, më 1997-1998, gazeta humbi një pjesë të frymëzimit dhe filozofisë mbi të cilën ishte ngritur. Vijimi ishte thjeshtë inerci. Lesi nuk mund ta frenonte këtë. Ai e kuptoi, u pajtua me fatin dhe ndoqi rrugën e tij plot ulje-ngritje. Si dhe karrierën politike.

Cili ka qenë pozicioni juaj aty?

Kur “Koha Jonë” erdhi në Tiranë, unë isha drejtor në Ministrinë e Kulturës, në moshën 22-vjeçare. Nuk isha ndonjë tip i spikatur administrativ dhe vijoja të jetoja si gazetar. Fillova të bashkëpunoja me “Koha Jonë” dhe në nëntor të vitit 1992 deri në janar 1993, pas një grindjeje mes Frangajt dhe Lesit, që në atë kohë ishin të rralla, por të cilat u shpeshtuan më vonë, drejtova përkohësisht gazetën. Më pas, unë kalova tek “Aleanca”, por ruanim kontakte dhe profil të ngjashëm me “Koha Jonë”. Në vitin 1996, qëndrova disa kohë si bashkëpunëtor pranë saj. Në mars të vitit 1997, Nikoll Lesi donte të nxirrte një revistë dhe më kërkoi që ta drejtoja atë. Revista nuk doli kurrë. Numri i parë i saj u shkrumbua bashkë me gjithçka tjetër të gazetës natën midis 2 dhe 3 marsit 1997. Ndoshta ky qe fati i saj. Pas 3 marsit, gjërat ndryshuan krejt dhe që nga ajo kohë kam qenë vetëm një mik i gazetës.

Shumica e gazetarëve dhe drejtuesve të medias së shkruar e asaj televizive kanë dalë nga dyert e “Koha Jonë”. Mendoni se ishte shkollë apo universitet “Koha Jonë” për gazetarinë shqiptare të këtyre 15 viteve?

Padyshim, besoj se këtë e shtjellova pak më parë. Asnjë organ tjetër shtypi nuk ka pasur këtë ndikim në Shqipëri dhe nuk besoj se do ta ketë më për një kohë të gjatë. Modele si gazeta “RD” e janar-qershorit 1991 dhe “Koha Jonë” e viteve 1992-1997 nuk besoj se përsëriten më. Ato nuk i pjell as aftësia dhe as puna e një apo disa individëve, por një kohë e caktuar dhe si të tilla, mbeten të pazëvendësueshme.  Nëse do të renditen edhe një herë emrat e gjithë atyre që kanë drejtuar apo kanë punuar në “Koha Jonë” në këto 15 vite, do të ishte një listë mbresëlënëse.

Disa nga ata që kanë qenë emra të njohur të “Koha Jonë”, kanë hyrë sot në politikë dhe kanë bërë karrierë aty. Si e shihni këtë veprim?

Krejt normal. E mbështes këtë ndërmarrje të tyre dhe besoj se sot, shumë prej politikanëve më të spikatur i takojnë pikërisht fashës së mediave. Mjafton të shihni Ben Blushin, Edi Ramën apo Sokol Olldashin. Duhet të nënvizoj diçka, që besoj se jo të gjithë e kanë parasysh sot. Disa prej gazetarëve me një karrierë 15-vjeçare, në fillimet e tyre kanë qenë një lloj kryqëzimi i gazetarit me politikanin. Kanë qenë si të thuash gjysmë misionarë politikë. Misioni i tyre ishte rrëzimi dhe shkulja e një sistemi absurd siç ishte ai komunist dhe hedhja e kolonave të një sistemi të ri, që jo të gjithë e njihnim. Në këtë aspekt, të ndaje politikanin nga gazetari dhe anasjelltas ishte shumë e vështirë. Thuajse e pamundur. Shumë politikanë militonin dhe afirmoheshin përmes shkrimeve në media dhe shumë gazetarë kishin një mision të spikatur dhe të ngjyrosur dukshëm. Kështu ishte ajo kohë dhe asgjë gabim nuk ka në të. Shumë vetë sot nuk e kuptojnë dot, por jo të gjithë e kanë analizën e duhur për të kuptuar një kohë të pajetuar. Një ditë, në “Koha Jonë” po lexoja një shkrim intervistë të Andi Bejtes që thoshte se stafi i parë i “Koha Jonë” dhe i mediave në përgjithësi ka qenë gjithnjë me një këmbë në gazetari dhe një në politikë. Analiza e tij ishte reale dhe mbresëlënëse. Në këtë aspekt, askush nuk mund të akuzohet. Ajo ishte një shkollë më vete dhe shumë prej gazetarëve që ruajnë një staturë të fortë politike i përkasin asaj shkolle. Mund të jetë e gabuar në një kohë dhe analizë tjetër, por jo ashtu siç janë zhvilluar gjërat në Shqipëri këto 15 vjet.

Beson se do të ketë edhe gazetarë të tjerë që do t’ju shtohen atyre?

Besoj që po!

Ju vetë?

Jo, jam mirë këtu ku jam. Njeriu nuk ndryshon kur nuk ka për të dhënë diçka më shumë diku tjetër.

Si ndiheni atëherë si gazetar?

Shumë mirë, përderisa është profesioni që besoj se di ta bëj më mirë dhe profesioni që kam ëndërruar. Nëse sot do të isha sërish 20 vjeç, nuk do të zgjidhja asnjë profesion tjetër veç këtij që kam dhe besoj se ju jeni dakord me mua se është një profesion magjik.

Që sjell edhe shumë të ardhura?

Padyshim!

Në fakt, sa fitoni nga gazetaria?

Pyesni Nikoll Lesin! Eshtë njeriu që futi konceptin e ri të pagesës në media, por edhe në krejt shoqërinë shqiptare.

Do të vini në festën që gazeta “Koha Jonë” do të organizojë në Hotel Rogner në datën 11 maj?

Ti më pyet a do të jem i pranishëm në festën time? Patjetër!

Nuk kemi ndonjë ditë reale feste për mediat në Shqipëri. Kështu që secili le ta festojë sipas kënaqësisë dhe bindjeve të veta. Unë po festoj me “Koha Jonë”. Si edhe shokët e mi!

 

SHKARKO APP