Blendi Klosi: Ndëshkim shembullor autorëve të skandalit me fëmijët jetimë në Shkodër

 

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka reaguar menjëherë pas publikimit të videos së keqtrajtimit të fëmijëve në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër

Pas publikimit në disa portale online të një video ku tregohej se si një punonjëse e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër ushtronte dhunë pikërisht ndaj fëmijëve për të cilët kjo punonjëse paguhet për t’u kujdesur, Shërbimi Social Shtetëror mori vendimin për të shkarkuar menjëherë nga detyra punonjësit e përfshirë në këtë ngjarje të turpshme dhe për t’i kallëzuar ata penalisht me motivin e ushtrimit të dhunës ndaj fëmijës dhe neglizhimit të detyrës.

Ditën e sotme, është nisur drejt Shtëpisë së Fëmijës Shkodër një grup i specializuar ekspertësh psikologë dhe punonjësish socialë, të cilët do të bëjnë një vlerësim më të plotë të situatës, jo vetëm për fëmijët e dhunuar, por edhe tek fëmijët e tjerë të qendrës.

Nga ana tjetër, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi ka urdhëruar ditën e sotme Shërbimin Social Shtetëror për të kontrolluar dhe vlerësuar menjëherë të gjithë stafin që përkujdeset për fëmijët në Shtëpitë e Fëmijës në rang Republike, pavarësisht asistencës sistematike që është dhënë në këtë drejtim nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj përgjatë dy viteve të fundit.

Ministri Klosi i kërkon organeve hetimore “zbardhjen e menjëhershme të këtij akti skandaloz dhe organeve gjyqësore dënimin më shembullor të përgjegjësve për këtë akt të neveritshëm”.

SHKARKO APP