Blendi Klosi: Paratë e pensioneve të kalohen përmes bankave

 

Sorollatjet dhe vonesat e pesnionistëve nëpër sportele për të marrë pagesën mujore është një prej çështjeve shqetësuese që pritet ti gjendet një zgjidhje e re.

Minsitri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi, zhvilloi një takim gjatë ditës së sotme me zyrtarë të lartë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, dhe përfaqësues të bankave.

Ministri propozoi që pagesa e pensionistëve, të kalohej pikërisht përmes bankave, për të shmangur radhët në sportele.

“Pensionistët duhet të jenë të lirë të zgjedhin, ku duan ta tërheqin pensionin në bankë apo në postë. Nuk mund të vijojmë me sistemin e vjetër që pensionistët mezi presin ditën që të shkojnë e të tërheqin pensionin në postë. Është e patolerueshme që përmes bankave të shpërndahen vetëm 3.5 % e pensioneve. Ne po punojmë që t’i shtojmë mundësitë për shërbime sa më të mira për pensionistët. Kalimi i pensioneve përmes bankave shton më shumë mundësitë për shërbesa të tjera. Shërbimi i postave i çon pensionistët të rrinë në radhë të gjata, i sorollat në sportele”, deklaroi Klosi.

Sipas drejtoreshës së ISSH Vjollca Braho, në Shqipëri janë 450 mijë pensionistë dhe vetëm 17500 e tyre e tërheqin pensionin në bankë.

“Kërkojmë dhe po punojmë me MMSR dhe ministrin Klosi për të shtuar numrin e pensionistëve që tërheqin pensionin përmes bankave të nivelit të dytë. Shpërndarja e pensioneve përmes sistemit të postës ka një kosto të lartë”, tha Braho.

SHKARKO APP