Bletërritësit në Kukës ankohen tek Ministria

 

Më shumë se 600 bletërritës të qarkut të Kukësit i kanë kërkuar mbështetje institucioneve shtetërore, konkretisht Ministrisë së Bujqësisë, për daljen në treg të mjaltit që ata mbledhin në kosheret e blertëve që mbarështojnë ose ngritjen e një pike grumbullimi për mjaltin që prodhohet në Kukës, Has e Tropojë.

Bletërritësit në Kukës thonë se mbështetja përmes subvencioneve, të akorduara nga shteti, është e papërfillshme, pasi nga 600 bletërritës që ka qarku i Kukësit këtë vit janë ndihmuar vetëm 14 bletarë. Ata shtojnë se prodhimin e shesin në tregun e brendshëm dhe kjo falë njohjeve personale, pasi nuk ka një politikë konkrete që mundëson shitjen e këtij produkti mjaft cilësor. Mungesën e mbështetjes e pranojnë edhe drejtues vendorë, të cilët i kanë bërë apel institucioneve që të mbështesin këta bletarë, pasi kështu ata do të kenë mundësi të shtojnë kosheret, por edhe zhvillojnë ekonominë vendase.

Qarku i Kukësit ka kullota të shumëllojshme që favorizojnë zhvillimin e bletarisë,  pasi ka më shumë se 106 mijë hektar me pyje, livadhe e kullota malore. Bletaria ka shërbyer gjithnjë si një aktivitet ndihmës për ekonominë e fermerëve ku bletët janë mbajtur në zgjoj. 

Për të dytin vit radhazi, Këshilli i Qarkut të Kukësit organizoi panairin e mjaltit, panair në të cilin janë prezantuar lloje të ndryshme mjalti si: Dyll, Qumësht blete, Propolis etj. Në Qarkun e Kukësit numërohen rreth 18 mijë familje bletësh.

Flutura Tota

SHKARKO APP