Blindohen institucionet/ Gardhe metalike, 1700 policë në terren, shtyllat lyhen me graso
Sot opozita e vendit mban protestën e radhës, ndërsa janë bërë me dije detaje mbi masat që do të marrë Ministria e Brendshme dhe institucionet në lidhje me këtë tubim.
Që prej së enjtes, në godinat qeveritare kanë nisur masat paraprake për sigurimin e perimetrit rrethues.
Tek Kryeministria dhe Parlamenti janë vënë gardhet metalike dhe shtyllat janë lyer me graso, masa këto që janë marrë që orët e para të mëngjesit të së enjtes. Në vijim pritet të sigurohet dhe dera e Kryeministrisë me fletë metalike, për të parandaluar hyrjen e protestueve brenda godinës.
Në planin e masave janë angazhuar rreth 1500 efektiva policie. Dy ditë para datës së lajmëruar, policia ka nisur marrjen e masave për protestën e sotme të opozitës. Paraditen e së enjtes rreth godinës së qeverisë është vendosur gardhi metalik, ndërsa në bulevard janë lyer me graso të gjitha shtyllat ku janë të vendosur kamerat e sigurisë, por dhe altoparlantët që përdoren nga policia për thirrjet ndaj protestuesve.
Pas vendosjes së gardhit metalik, në trotuarin para Kryeministrisë është kufizuar dhe kalimi i këmbësorëve. Puna e Policisë dhe Gardës ka nisur që orët e para të mëngjesit për shkak edhe të seancës plenare, konkretisht me vendosjen e telit me gjemba përreth gjithë gardhit rrethues të godinës dhe të një tjetër gardhi metalik në rrugën pedonale.
Përreth Parlamentit janë vendosur dhe punonjës policie për të ruajtur rendin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e seancës.
Pas masave të marra në terren, në orët në vijim pritet të hartohet dhe plani nga drejtuesit e Policisë dhe Ministrisë për ruajtjen e godinave shtetërore përfshi Kryeministrinë, Parlamentin, dy Drejtoritë e Policisë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Këto masa merren paraprakisht pasi gjatë protestave të fundit ka pasur një marshim të tubuesve nga Kryeministria, në drejtim të Parlamentit dhe Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Tiranës. Gjatë tubimeve të opozitës në kryeqytet janë angazhuar 1300 deri në 1500 efektiva policie, ndersa sot do jene 1700 police ne terren
Nga Ministria e Brendshme njoftohet se do i jepet rëndësi e veçantë ruajtjes së institucioneve.
“Në pikat ku janë zhvilluar protestat në vijimësi në këto 3 muaj, është ndaluar parkimi i automjeteve, që të rritet siguria e qytetarëve dhe të mos ketë dëmtime në pronën e tyre. Me një plan të veçantë masash, komisariatet në Tiranë kanë bërë kontroll nëpër dyqane në Tiranë, për të parë nëse tregtojnë mjete piroteknike, të cilat tashmë ndalohen edhe me ligj”, raporton News 24.
Partia Demokratike ka kërkuar leje deri në mesnatë për një marshim-protestë, ndërsa policia i ka dhënë leje për fashën orare nga ora 19.00 deri në 21.00.
KOHA JONË SONDAZH

