Blindohet Tirana. Nesër vjen Vuçiç, ushtria ngre në patrullim helikopterët

 

Vizita e Kryeministrit të parë serb në Shqipëri do të blindojë Tiranën nën masa sigurie që janë parë vetëm për vizitën e Atit të Shenjtë.

Aleksandër Vuçiç mbërrin të mërkurën në Tiranë në një vizitë dyditore.Për vetë historikun e marrëdhënieve të shqiptarëve, kryesisht të Kosovës me këtë vend, por edhe dinamika që po shoqëron rajonin këto kohë, bën që kjo situatë të menaxhohet veçse kështu.

Megjithatë parë kjo reciprokisht, edhe Beogradi u blindua kur shkoi Kryeministri ynë.
Mësohet se në terren do të sigurojnë mbarëvajtjen e kësaj vizite, qindra forca policie, gardistë, efektivë nga antiterrori, shërbimi inteligjent, si edhe helikopterë të ushtrisë.

Jo vetëm Tirana ka marrë masa të tilla, edhe Beogradi do të nisë me shefin e qeverisë trupë shoqëruese, madje edhe shërbimin inteligjent serb.

Për dy ditë bllokohet lëvizja

Përpos kësaj sigurie, në këto 2 ditë Tirana do të vuajë kufizimin e qarkullimit dhe bllokimin e disa rrugëve dhe shesheve.

“Duke filluar nga ora 10.40 datë 27-28.Maj.2015, do të ketë kufizim deri në bllokim lëvizje në hyrje të autostradës. Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet parkimi i mjeteve janë: nga “Ura e Elbasanit” , bulevardi “Zhan Dark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, ekspozita “Shqipëria Sot”, ura “Vasil Shanto”, pallati me Shigjeta, “Unaza e Re” në drejtim të sheshit “Shqiponja”.

Akset ku do bllokohet parkimi

Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet parkimi i mjeteve janë:

Nga “Ura e Elbasanit” , bulevardi “Zhan Dark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, ekspozita “Shqipëria Sot”, ura “Vasil Shanto”, pallati me Shigjeta, “Unaza e Re” në drejtim të sheshit “Shqiponja”.

Gjithashtu nuk do të lejohet asnjë parkim duke filluar nga ora 23 e 59 e datës  26 në akset rrugore…

Nga rruga e “Rinasit”, në “Qaf Kashar”, sheshi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha” në të dyja senset (hyrje-dalje), rruga e “Durrësit”, sheshi “Skëndërbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali”(nga radiotelevizioni në drejtim të liceut), rruga e Elbasanit deri te pallati i “Brigadave” .

Nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve  në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Donika Kastrioti”.

Këshillohen qytetarët të evitojnë lëvizjen me mjete në këto rrugë, ose të përdorin rrugën e vjetër Ndroq.

Ndalohet qarkullimi i pjesshëm dhe i përkohshëm i të gjitha kategorive të mjeteve në këto segmente rrugore nga ora 10: 40 deri në përfundim të axhendës.

Rama-Vuçiç 30 minuta në konferencë. Ja axhenda e kryeministrit serb

Në orën 11:00 të së mërkurës, Aleksandër Vuçiç dhe delegacioni do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit, për t’iu drejtuar Pallatit të Brigadave, ku në 11:30 homologu Edi Rama do ta presë në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave, si shenjë reciprociteti, e mirëpritjes së Kryeministrit shqiptar në Pallatin Serbska gjatë vizitës së tij në Beograd.

Pas takimit mes dy delegacioneve në bibliotekën e Pallatit të Brigadave, dy Kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Axhenda e Kryeministrit serb, do të vijojë me një takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Në orën 15:50, nurmi 1 i qeverisë së Serbisë, do të pritet nga Presidentit i Republikës Bujar Nishani.

Kreu i shtetit shqiptar, nuk do të ndjekë shembullin e homologut Tomislav Nikoliç që nuk priti në Beograd Kryeministrin tonë, por do ta mirëpresë në zyrën e tij, ku ndoshta do të  ketë rastin ti përgjigjet deklaratës së asaj kohe të Presidenit serb se Shqipërisë i duhen edhe 100 vjet që të bëhet shtet.

Axhenda e ditës së parë të vizitës së Vuçiç në Tiranë do të mbyllet  me një takim me kreun e Bashkisë së Tiranës  Lulzim Basha.

Më 28 maj, Vuçiç do të marrë pjesë në forumin ekonomik të rajonit, që mbahet në Tiranë.

SHKARKO APP