Bllok i ri operator te “Koço Gliozheni”, Manastirliu: Nis puna për qendrën e parë të riprodhimit të asistuar

Përfundon investimi për bllokun e ri operator dhe repartin e obstetrikës në maternitetit “Koço Gliozheni”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se ky investim dhe rritja e kapaciteteve do t’u shërbejë më shumë nënave dhe fëmijëve në vendin tonë.

Unë jam e kënaqur që sot ne përfundojmë këtë investim në bllokun e lindjes, investimin në bllokun operator edhe në pavionin e obsetrikës, për të realizuar atë vizion që ne kemi të gjithë së bashku, për ta çuar në një nivel më të lartë shëndetësinë publike në Shqipëri dhe mbi të gjitha për të garantuar kushte shumë më të mira pune për stafin tonë profesional dhe për nënat e reja dhe të porsalindurit. Ne nuk kemi bërë thjesht një rikonstruksion të bllokut operator apo bllokut të lindjes. Ne kemi rritur kapacitetet e bllokut operator dhe të bllokut të lindjes, sepse tashmë në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë një prej objektivave themelorë është rritja e aksesit në kujdesin shëndetësor dhe rritja e cilësisë së shërbimeve”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se investimi në maternitetin “Koço Gliozheni” do të vijojë me fazën e dytë të punimeve, Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se buxheti i vitit 2023 do të mbështesë një projekt madhor, siç është ngritja e qendrës së parë të riprodhimit të asistuar në maternitetin “Koço Gliozheni”.

SHKARKO APP