Bllokimi i rrugëve nga bora, Çako: Asnjë bashki nuk ka kapacitete për mirëmbajtje
Reshjet e borës kanë pushuar, por shumë zona rurale vazhdojnë të jenë të bllokuara. Në Korçë problematike janë rrugët që lidhin fshatrat me njësitë administrative. Edhe rruga që lidh Librazhdin me Peshkopinë është e mbuluar nga bora dhe kalohet vetëm me zinxhirë.
Zonat e thella në qarkun e Shkodrës kanë hasur probleme me reshjet e borës. Përpos Thethit, i cili vijon prej kohësh të jetë i bllokuar, zona të tjera që kanë pasur probleme janë Fushë Arrëzi dhe Vermoshi. Edhe në qarkun e Kukësit disa fshatra vijojnë të jenë të bllokuar si dhe në Dibër.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, Haki Çako thotë se për mirëmbajtjen e rrugëve do të duhej të përgjigjej pushteti lokal. Nga ana tjetër theksoi se asnjë bashki nuk ka kapacitete për ta bërë një gjë të tillë. ”Pothuajse shumica e bashkive nuk kanë siguruar kapacitetet as për situatë normale. Do të duhet të investojnë 4% të akorduar të fondit në adresë së zvogëlimit të riskut dhe mbrojtjen civile”.