Bllokimi i shqiptarëve në Varshavë, Ministria e Jashtme: I kthyem në mëngjes me charter, Polonia vendim të papritur
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas bllokimit të shqiptarëve në Varshavë të cilët nuk arritën dot të hyjnë në Poloni.
Ministria e Jashtme njofton se të gjithë pasagjerët që nuk kanë arritur të hyjnë në Poloni dhe janë bllokuar në Varshavë do t’ju vihet në dispozicion një avioni charter për t’i rikthyer në atdhe, sot, e diel, 16 gusht 2020, herët në mëngjes.
Njoftimi i Ministrisë:
Njoftim lidhur me moslejimin e qytetarëve shqiptarë në Aeroportin e Varshavës
Në mënyrë të papritur, Polonia ka ndryshuar regjimin e hyrjes së qytetarëve shqiptarë në Poloni.
Për shkak të këtij ndryshimi, ditën e shtunë, më 15 gusht 2020, qytetarë shqiptarë, të cilët u nisën në udhëtim drejt aeroportit të Varshavës me linjën ajrore të Kompanisë Polake, LOT Airline, nuk janë lejuar, që të hyjnë në Poloni.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Poloni në komunikim të ngushtë me disa shtetas të bllokuar në aeroportin e Varshavës, u vu menjëherë në komunikim me autoritetet vendase dhe me drejtuesit e kompanisë ajrore LOT Airline, duke arritur të bëhej e mundur vendosja e një avioni charter në dispozicion të shtetasve, për t’i rikthyer në atdhe, sot, e diel, 16 gusht 2020, herët në mëngjes.