Blushi: Bashkëjetojmë me krimin në Parlament!

 

Kritika mjaft të ashpra janë drejtuar sot nga foltorja e Parlamentit, prej deputetit socialist, Ben Blushi, teksa e ka drejtuar gishtin tek klasa politike në vend, duke apeluar se partitë e kanë marrë peng Shqipërinë.

“Sot partitë tona nuk janë më grumbuj apo bashkime njerëzish që respektojnë statuset në mënyrë vullnetare. Porse kur një parti i fiton zgjedhjet është rentabël dhe kur i humb ato nuk është rentabël. Është krijuar një model që duhet ta ndëshkojmë me votë”, tha ai.

Sipas tij, nëse ke nder, sot humb dhe nëse rreh ata që mendojnë ndryshe nga ty, je i paparë.

“Kjo është e vërteta, këto janë partitë tona politike. Partitë tona e kanë marrë peng Shqipërinë!”, apeloi gjithashtu ai me zë të fuqishëm nga foltorja e Parlamentit.

Sipas Blushit, sot kemi Parlamentin më të shëmtuar në Evropë, me një damkë që do t’i mbetet për shumë kohë.

“Bashkëjetojmë me krimin në Parlament. Dhe përgjegjësia është e atyre që i sollën këtu. Na detyruan ta pranojmë këtë shëmti si një normë politike”, ishte një tjetër deklaratë e fortë e tij. 

SHKARKO APP