Blushi flet për një skenar për eliminimin fizik të Ilir Metës
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar ashpër për arrestimin e presidentit të kësaj force, Ilir Meta. Teksa dënoi rrëmbimin e dhunshëm të ish-kreut të Shtetit, Blushi hodhi akuza të rënda duke u shprehur se aksioni mund të ketë qenë dhe një tentativë për eliminuar fizikisht Ilir Metën.
“Pamjet e shpërndara nga struktura struktura kriminale SPAK dhe narko-policia tregojnë rrëmbimin e një ish presidenti. Cfarë e dallon një terrorist nga një polic? Të dy të maskuar, të dyja mbajnë armë, i dallon identifikimi, por ata nuk kishin. Kemi të bëjmë me një akt terrori, show gangsterësh për të vënë në jetë një skenar të vënë në jetë nga struktura kriminale e SPAK. Një task forcë kriminale në funksion të narkoshtetit që ka guximin të rrëmbejë ish presidentin e republikës.
Kam qenë në kontakt me presidentin dhe Artemis Pecën të cilët janë terrorizuar. U rrëmbyen në mes të ditës pa u identifikuar. Aty mund të ketë pasur një skenar për eliminimin fizik të Ilir Metës. Imagjinojeni që të ishin dhe punonjësit e Gardës së Republikës. Presidenti nuk ka pasur nevojë të ruhet nga Garda. Ai ka dalë nëpër rrugë i pashoqëruar. Ai nuk ka konsumuar asnjë krim. Mëkati i vetëm është që ka qenë një ndër patriotët më të pashembullt”, tha Blushi në A2.
Në lidhje me akuzat e ngritura nga Struktura e Posaçme, Blushi i cilësoi ato të pabaza dhe akuzoi këtë institucion dhe kreun e saj Altin Dumani se ka pasur “mercenarë” të infiltruar brenda Partisë së Lirisë, por pa përmendur emra.