Blushi: Rama u heq taksat oligarkëve, por refuzon uljen e TVSH-së për produktet e shportës dhe heqjen e taksave mbi naftën
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, hodhi akuza të forta, duke thënë se qeveria ”Rama 4” u heq taksat oligarkëve dhe nuk pranon të ulë TVSH-në për produktet e shportës dhe heqjen e 2 taksave për uljen e çmimit të karburantit.
“Në emër të grupit të PL-së dënoj shkeljen e rregullores së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit duket se është në atë pozicion vetëm për të fituar rrogën, sepse defacto kryetari i Parlamentit është kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së. Të gjithë shqiptarët e panë për të disatën herë një akt skandaloz të hedhjes në votim të së drejtës për t’i mohuar opozitës të flasë për shumë projektligje të rëndësishme, një prej të cilave për pronat e sekuestruara të krimit të organizuar, të cilat duhet të shkojnë për policët e rënë në krye të detyrës.
Por ky Kuvend është shndërruar në rrobaqepësi për të qepur ligje me porosi nga klientët e Ramës. Për të qepur ligje për projekte fantazmë, si ai për Duranën e famshme, të cilën unë vetë e kam denoncuar. Është për të vënë duart mbi kokë sepse bëhet fjalë për një projekt korruptiv. Kjo shumica nga njëra anë u heq taksat oligarkëve dhe nga ana tjetër refuzon të miratojë dy projektligje të rëndësishme, atë për uljen e tvsh për ushqimet e shportës, nga 20% në 15% dhe projektligjin për uljen e çmimit të naftës përmes heqjes së dy taksave.
Tani me dhunë dhe forcë kartoni, në një akt të paprecedentë, që nuk nodhin as në Kuvendet e Rusisë dhe Bjollorusisë, nuk besoj se ndodhin të till akte kaq flagrante, por sigurisht këto ndodhin në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj ftoj gjithë qytetarët në protestën e 17 prillit, sepse fjalën duhet ta ketë vetëm sovrani”, tha mes të tjerash Blushi.
KOHA JONË SONDAZH

