Blushi:”Kapitalizmi i Edit nuk kafshon, por blegërin”

 

 

“Nuk jam opozitar, por një nga ata që mendojnë se Shqipëria nuk po shkon në drejtimin e duhur. Qeverisë nuk i mungojnë paratë, por idetë dhe modestia”.

Në seancën e diskutimit të buxhetit 2016 deputeti socialist Ben Blushi ishte më kritiku me Qeverinë nga radhët e mazhorancës. Në fjalimin brilant që solli edhe replika me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, Blushi ka ashpërsuar tonet me reformat e qeverisë dhe mosmbajtjen e premtimeve. Ai tha se shumica qeverisëse ka tradhtuar të varfrit, duke u kujtuar deputetëve të majtë premtimet që kanë bërë gjatë fushatës elektorale.

“Unë besoj se në dy vite qeverisje ne kemi arritur tu bëjmë jetën më të vështirë të varfërve. A përfiton një i varfër më shumë asistencë sociale? A është më e lirë kosto e shëndetësisë, e arsimit? A i janë shtruar atij më shumë rrugë? A është një i varfër sot i detyruar të shkojë në emigracion? A paguan një i varfër sot më pak ryshfet? A e ka koston e drejtësisë më të lirë? A është drejtësia më e shtrenjtë për të varfwrit, unë them që po. A mund të gjej punë një i varfër nëse nuk është komisioner në partitë tona, unë them që është shumë e vështirë. Kjo shumica jonë i ka tradhtuar të varfrit”,- tha deputeti Blushi.

Duke u ndalur në projekt-buxhetin e sjellë nga qeveria për vitin 2016. Blushi tha se problemi i qeverisë nuk është mungesa e parave, por mungesa e ideve dhe e modestisë. Deputeti socialist tha se shumica e ministrave të qeverisë nuk e njohin varfërinë në vend dhe nuk e dinë sesi jetojnë realisht shqiptarët. Madje, edhe nëse e shohin çdo ditë tek shqiptarët kjo nuk u bënë përshtypje.

“Kjo qeveri për fat të keq, nuk është vetëm ky problemi, më mirë i shkoj të vërtetës se sa partisë, për fat të keq kjo qeveri ka edhe një problem tjetër, ajo nuk është modeste dhe kur nuk je modest, ia shton vuajtjet të varfërve. Unë nuk jam opozitar, por një nga ata që mendojnë se Shqipëria nuk po shkon në drejtimin e duhur… dhe unë them që nuk janë paratë që i mungojnë qeverisë, por dy gjëra të tjera: E para janë idetë dhe e dyta, modestia. Të dyja bashkë kanë më shumë vlerë dhe janë më të shtrenjta se paratë…”,- tha Blushi.

Në krahasim me qeverisjen e PD-së, Blushi tha se sot nuk fiton kafsha më e fortë si para vitit 2013, por delja më e bindur. “Çfarë ka ndryshuar në dy vjet? A ka ndryshuar modeli ekonomik? Unë kam dëshirë të besoj se ka ndryshuar, por problemi është se e kam shumë të vështirë ta provoj se ka ndryshuar. Në variantin e atyre të vitit 2013, kafsha më e fortë fitonte më shumë. Por këtë xhungël shqiptare e hoqëm qafe me vota në 2013. Por çfarë mekanizmi kemi sot. Kapitalizmin që kemi sot ne nuk është zologjik, por është blegtoral. Nuk fiton kafsha më e fortë, por delja më e bindur. Kapitalizmi tonë nuk kafshon, por blegërin”,- tha ai.

Deputeti Blushi folur dhe për sinjalet dhe zërat për zgjedhje të parakohshme. Në këtë pikë ai ka pasur një pyetje retorike për kolegët e tij nga Partia Socialiste. “Vërtetë mendoni se ky që kam prapa (Edi Rama) dhe që ka frikë të bëjë zgjedhje në parti do të bëjë zgjedhje të reja parakohshme?”.

Ndryshe nga qëndrimet e Kryeministrit Rama dhe ministrave për anët pozitive të Buxhetit, Blushi tha se ky është buxheti më i keq që ka ardhur ndonjëherë në Kuvend. “Ky buxhet për fat te keq është akt rutinë, konfuz, kaotik, pa ide sa 10 a 5 buxhete që kam kaluar. Ky bën vetëm një gjë të mirë. Shpresoj të kufizoje borxhin duke ulur deficitin. Ky nuk është buxhet zhvillimi por korrektimi për dështimet në dy vjet. Unë do ta votoj por duke cituar Idro Montanelin: “Do e votoj buxhetin, por duke mbyllur hundët”.

Fjalimi i Blushit shkaktoi reagime në sallë. Një pjesë e deputetëve të PD-së e përshëndetën atë, por Blushi u përgjigj se nuk fliste në Kuvend për të kënaqur opozitën. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj ishte i vetmi përfaqësues i mazhorancës që replikoi me Blushin, duke e cilësuar fjalimin e ti si “romantik” dhe se shifrat e ekonomisë ishin pozitive. Por nuk ka munguar dhe përgjigja e Blushit. Ai tha se ky buxhet ishte larg premtimeve që ka bërë Partia Socialiste gjatë fushatës elektorale. “Unë kam mbrojtur taksën progresive, por jo këtë që është aplikuar. Një administrator kompanie taksohet 15 për qind, ndërsa pronari i saj më pak. Kjo nuk është taksë progresive dhe unë e refuzoj këtë model. Nuk kam bërë fushatë për këtë model. Ne kemi thënë taksë progresive për kapitalin, jo për punën”,- u tha deputeti Ben Blushi.

 

 

SHKARKO APP